Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se partia e tij, LDK, do të bëjë publike pasqyrën financiare, e cila do të jetë e qasshme për të gjithë qytetarët. Por ai ka kërkuar që edhe partitë opozitare ta bëjnë këtë, duke aluduar më shumë në VV’në e cila sipas tij, edhe pse lavdërohet se i ka publike financat, nuk tregon se nga i merr ato.
“Si kryetar I LDK-së kam kërkuar nga zyrtarët përgjegjës të LDK-së të kërkojnë zyrtarisht nga KQZ-ja që pasqyrat financiare të LDK-së të dorëzuara në KQZ të jenë publike dhe të qasshme për çdo qytetar. Do të aktivizojmë edhe Web-faqen e LDK-së dhe do të prezantojmë çdo cent të shpenzuar për partinë”, ka thënë Mustafa.
Mustafa, duke aluduar tek partitë opozitare në Kuvendin e Kosovës, VV, AAK, NISMA, ka thënë se edhe ato duhet ta bëjnë publike burimin e financimit.
Më shumë Mustafa është marrë me Vetëvendosjen, parti e cila është ndër të parat që ka bërë publikimin e financave, raport në të cilin i pari i LDK’së shpreh dyshime.
“Shpresoj se edhe subjektet të cilat po lavdërohen se i kanë bërë pPblike pasqyrat e tyre financiare do të pasqyrojnë se me cilat para dhe nga cilat burime është financuar gazi lotsjellës, shishet e mollotovit, sferat e qelqit, mekanizmat për rrotullimin e automjeteve, protestat e dhunshme… Burimet e financimit të subjekteve politike dhe shpenzimet e tyre duhet të jenë transparente”, ka shkruar Mustafa në facebook. /gazetametro.net