Policia e Kosovës, përmes një komunikate për media i ka hedhur poshtë raportimet e mediave vendore dhe ndërkombëtare, të cilat pretendonin se Lavdrim Muhaxheri është në territorin e Kosovës. Mediat serbe kanë raportuar se Muhaxheri po lëvizë lirshëm nëpër rrugët e Kosovës, gjë që hidhet poshtë nga Policia e Kosovës.
“Referuar disa shkrimeve ditëve të fundit nga mediat e ndryshme qofshin ato vendore apo nderkombëtare, veqanërisht spekulimeve nga disa media nga Serbia lidhur me vendndodhjen e të dyshuarit për terrorizëm Lavdrim Muhaxheri dhe deklarimeve të tyre se i njëjti ( Lavdrim Muhaxheri) me rreth 400 luftëtarë pjesë e organizatës terroriste ISIS është kthyer në Kosovë dhe lëvizë lirshëm, janë të pavërteta, qëllimkëqija dhe tendencioze për të krijuar ndjenjë të pasigurisë në opinionin publik”, thuhet në komunikatën e dërguar nga Policia.
Tutje, Policia e vendit thotë se lideri i grupit të shqiptarëve në ISIS është në ‘territorin e konfliktit Siri apo Irak’, informacion ky që bazohet nga bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtarë dhe agjencitë e huaja të inteligjencës.
Ndryshe, ditë më parë ishte raportuar se Lavdrim Muhaxheri kishte mbërritur në Kosovë bashkë me 400 luftëtarë të Shtetit Islamik. Më vonë, edhe mediat ndërkombëtare dhanë të njejtin lajm, gjë kjo që hidhet kategorikisht poshtë nga Policia e Kosovës. /gazetametro.net