Loading…

Lavdia si boshësi

  • Nga

  • 25/11/2018 | 15:11

Lavdia si boshësi

Transferimi etik e njerëzor që po bëhet nga aktualiteti tek historia, nga punët konkrete në tema të ashtuquajtura të mëdha, po ia ngushton hapësirën gjithnjë e më tepër atyre ideve e pikëpamjeve që qëllimisht margjinalizohen nga ‘pylltarët’ e xhunglës sonë politike, mediatike, fetare e social-kulturore


Emin AZEMI

Nëntori me të drejt është konsideruar krenaria kombëtare e shqiptarëve. Në këtë muaj, historia shqiptare që nga epoka e lavdishme e Gjergj Kastriotit e deri te Shpllja e Pavarësisë së Shqipërisë, jo vetëm që kishte ngjizur idenë madhore për komb e shtet, por kishte krijuar një standard të ri në reflektimin e ngjarjeve me rrezatim më të gjerë kombëtar.

Deri këtu është gjithçka në rregull, por, në anën tjetër, mospërballja me realitetin a mundet të na shkarkohet si barrë mbi kurrizin tonë që mundohemi ta mbajmë drejt me ‘’armaturë’’ të huazuar nga telat e çiftelisë. Është bërë bukur mirë që ‘’Vitin e Skendrebut’’ po e mbyllim me ngjarje e kujtime që na japin pak kurajo të trimërohemi nga goditjet që na vijnë prej realititeti trivial, gati gjithpërshirës, mirëpo a po pyet kush se sa ne si komb pellazgo-ilir po sillemi si pasardhës të denjë të Gjergj Kastriotit dhe a ndodhë që të koritemi e t’ia marrim fytyrën këtij burri të madh me palaçollëqet tona të çdoditshme që i bëjmë.

Jo rrallë lavdia historike te ne trajtohet si një pompë që duhet të fryhet sa herë që nuk gjejmë forcë të përballemi me realitetin. Ky kalim i botës reale në botën ireale, mitike, ka për bazë mungesën e theksuar të gatishmrisë për një kohezion të brendshëm në mes të lavdisë dhe rezultateve konkrete në shumë sfera të jetës.

Fundja, nuk ka asgjë të keqe në vetvete nëse ekziston një dosponim i përgjithshëm për të festuar e shënuar ngjarje nga e kalaura jonë, por kur ato ngelin ‘’ishuj të vetmuar’’ në veprimtarinë tonë të përgjithshme dhe nuk reflektojnë një mesazh që duhet të bëhet moto e aksioneve kulturore, mjedisore, sociale e politike, atëherë i bie që të gjitha këto evente i bëjmë vetëm sa për t’u argëtuar nja dy- tre ditë dhe pastaj merr fund gjithçka, sikur të mos kishte ngelë nam as nishan nga ato data e ngjarje.

Të detektosh një problem dhe të punosh për ta zgjidhur atë problem, sot është vlera kulmore e patriotizmit qytetar, kurse gjithë ata që bëjnë sehir dhe bëhen sikur janë të brengosur për problemin që i mundon, sot i ke pjesëtar të publikut çallëmgji që shfrytëzon bileta gratis për të pa ndonjë shfaqje që nuk ia di as emrin në pjesën “mondane” të Shkupit, paçka se fëmijët e “getove” të komunave tona gjysëm urbane po i ushqejnë “mushkëritë estetike” me pluhurin e injorancës sonë me dimensione alarmante alergjike.

Ka rrezik që kjo alergji një ditë të merr përmasat e një përbindëshi të uritur, i cili ardhmërinë e gjithë neve do ta përdorë si “taxhi” nga ujemi i pakujdesive tona sistematike.

Pra, ne mund të festojmë natë e ditë, madje jo rralllë të shkrepim edhe ndonjë ‘rafal’ në dasmën e kusheririt, sepse ndryshe s’kemi si ta tregojmë veten sa trima jemi, ose sa të afërm e kemi ndonjë ‘udbash’ që pa prolem na pais me leje për armë.

Transferimi etik e njerëzor që po bëhet nga aktualiteti tek historia, nga punët konkrete në tema të ashtuquajtura të mëdha, po ia ngushton hapësirën gjithnjë e më tepër atyre ideve e pikëpamjeve që qëllimisht margjinalizohen nga ‘pylltarët’ e xhunglës sonë politike, mediatike, fetare e social-kulturore. Ka të ngjarë që të gjithë ne një ditë të gdhihemi me tymin e stërmadh të asgjësë që xhungla jonë po e prodhon në fabrikat e injorancës.

Një komb nuk është patriot vetëm pse feston ngjarjet e lavdishme nga historia. Më shumë se kaq, patriotizmi i një kombi matet me aftësinë për të prodhuar energji krijuese në vijimësi, e jo vetëm në ‘jazet’ me ujë që sjellin ngjarjet e së kaluarës.

Shqiptarët, si komb jo rrallë janë munduar të ‘bluajnë’ edhe atëherë kur ‘jazet’ kanë qenë bosh dhe kjo pastaj ka sjellë boshësi idesh dhe sinkopa veprimesh.

Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë