Një nga 33 të infektuar me koronavirus në Kosovë është edhe Jetmir Hyseni nga fshati Bibaj i Ferizajt, i cili po trajtohet në Klinikën Infektive të QKUK’së, transmeton Gazeta Metro.
Hyseni ka treguar se gjendja e tij shëndetësore është duke u përmirësuar, duke treguar tutje për simptomat të cilat i ka pasur para se të diagnostifikohet me COVID-19.
“Fatmirësisht, sot mirë po ndihem. Për çdo ditë po e marr veten nga pak. Jam në Spitalin Infektiv në QKUK, qysh prej natës kur edhe jam diagnostifikuar me koronavirus. Faktikisht, simptomat i kam ndjerë prej ditës kur kam udhëtuar prej Gjermanisë në Kosovë. E kam ndjerë që mund ta kem virusin, por më saktë e kam kuptuar natën e 20 marsit, pasi që e kam bërë testin në Spitalin Infektiv”.
“Fillimisht në mëngjes kam pasë dhimbje të fytit, derisa në mbrëmje dikur vonë kam pasë ethe, temperaturë, dhimbje të kokës dhe muskujve, por fillimisht kanë qenë dhimbje të fytit. Këto simptoma kanë zgjatur tri ditë. Tani kam vështirësi, por po e shoh se po e marr veten çdo ditë. Tani kam kokë dhimbje kohë pas kohe, por jo diçka më shumë”,ka thënë tutje ai.
Hyseni në një bisedë telefonike në “Sytë 7”, ka bërë thirrje për të gjithë qytetarët që të rrinë në shtëpi dhe t’i ndjekin udhëzimet.
“Të qëndrojnë në shtëpi dhe t’i ndjekin udhëzimet. Duke e ruajtur veten e ruajnë edhe rrethin që i rrethon. I lus të gjithë të rrinë në shtëpi, të kujdesen për veten dhe për ata që i kanë rreth vetes”, ka përfunduar ai. /gazetametro.net