Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimi Evropian për dialogun Kosovë – Serbi dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Mirosllav Lajçak, ka thënë se dialogu në nivelin e kryenegociatorëve është mjaft produktiv.
Në ditën e fundit të vizitës në Kosovë, Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimi Evropian për dialogun Kosovë – Serbi dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Mirosllav Lajçak në konferencën e mbajtur për media theksoi se marrëveshja për energjinë është një fakt që dialogu mes kryenegociatorëve është produktiv.
Duke folur për këtë marrëveshje, Lajçak zbuloi se Kosova dhe Serbia qysh prej muajit nëntor kanë negociuar për të, fakt ky që nuk është përmendur asnjë herë nga pala kosovare.
“Kryenegociatorët, niveli i kryenegociatorëve është produktiv dhe dëshmia më e mirë është marrëveshja për energjinë sepse e kemi negociuar këtë marrëveshje që nga nëntori i vitit të kaluar. Dhe kemi një rezultat i cili me të vërtetë është mjaft substancial dhe material dhe po e ndryshon situatën pasi që thashë i kemi edhe disa dokumente të tjera në fazat e avancuara para finalizimit, por tani na duhet vendimi politik sa i përket kryenegociatorët dhe ekspertët rregullisht takohen”, theksoi Lajçak.