Emisari i Bashkimit Europian (BE) për dialogun Kosovë-Serbi , Miroslav Lajcak, ka folur për takimet që ka pasur sot në Kosovë me krerët opozitarë të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), shkruan Gazeta Metro.
Lajcak me anë të një postimi në Twitter, ka thënë se ka dëgjuar me kënaqësi mirëkuptimin që ata kanë për rëndësinë e dialogut si dhe mbështetjen që ata i japin këtij procesi.
“Sot, Gabriel Escobar dhe unë u takuam me partitë politike opozitare në Kosovë. Me kënaqësi dëgjova mirëkuptimin e tyre për rëndësinë dhe mbështetjen për dialogun për normalizimin e marrëdhënieve”, ka shkruar ai.
Today, DAS Gabriel Escobar and I met with opposition political parties in Kosovo. Pleased to hear their understanding of the importance of anda support for the Dialogue on normalisation of relations. pic.twitter.com/WGwKjUtMD2
— Miroslav Lajčák (@MiroslavLajcak) February 1, 2022
Në këto takime, Lajcak ishte i shoqëruar edhe nga i dërguari i presidentit Biden për Ballkanin, Gabriel Escobar.
Escobar dhe Lajcak janë takuar të martën, veç e veç, me kreun e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku dhe me liderin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.
Liderët e partive opozitare në Kosovë, gjatë një takimi që kanë zhvilluar të martën me Escobarin dhe Lajcakun, kanë thënë se një marrëveshje përfundimtare me Serbinë, duhet të bëhet duke mos cenuar sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës, si dhe të përmbyllet me njohjen e ndërsjellë.
Më 31 janar, Escobar dhe Lajçak nisën vizitën e tyre në Kosovë, duke u takuar me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministrin, Albin Kurti. /gazetametro.net