Deklaratat e dhëna para disa ditësh nga nënkryetari i AKR-së, Labinot Tahiri se të gjitha opsionet janë të hapura sa i përket formimit të koalicioneve paszgjedhore, duke mos përjashtuar as koalicionin me PAN-in, kanë ngritur dyshime te koalicioni LAA, se deputeti i ardhshëm, mund ta votojë kandidatin e PAN, Ramush Haradinajn për kryeministër.
Burime të Blic kanë konfirmuar se Labinot Tahiri mund ta bëjë këtë gjë.
Mirëpo, vetë Labinot Tahiri sot nuk ka kthyer asnjë përgjigje nëse do ta votoj ose jo për kandidatin për kryeministër nga PAN.
Para disa ditësh, Labinot Tahiri i ka thënë Gazetës Blic se ai nuk deklarohet për këtë çështje, sepse siç ka thënë ai, i është keqinterpretuar deklarata që kishte dhënë për media.
Ndërkaq lideri i AKR-së, Behgjet Pacolli ka thënë se nuk beson që dikush nga partia e tij do ta votoj kandidatin e PAN-it për kryeministër.
Ai është shprehur i bindur se Labinot Tahiri është një nga shtyllat e AKR-së dhe se raportimet në media se ai mund ta votoj kandidatin e PAN-it janë spekulime.
“Labinot Tahiri është nënkryetar i AKR-së dhe shtyllë e fortë e partisë sonë dhe ndër më të besuarit e mi. Të gjitha të tjerat janë spekulime mediale”, tha ai shkurt për Blic.
Tahiri në një intervistë të mëhershme pati folur me admirim për Haradinajn, megjithatë kishte shtuar se ai voton ashtu si vendos partia.
“Ai njeri (Ramush Hardinaj v.y.) e ka pastruar luftën e UÇK-së në Kosovë dhe i ka treguar botës se populli i Kosovës ka pasur të drejtë ta ketë lirinë për arsye se ka qenë i okupuar nga Serbia. Ai e ka dëshmuar veten duke e lënë kryeministrinë për të treguar se populli i Kosovës e ka të drejtën ta gëzoj pavarësinë. Kam respekt të veçantë, saqë mund ta quaj se ai njeri mund të jetë një Adem Jashari i gjallë”, kishte thënë Tahiri.