Loading…

Ky shtet i NATO’së bën thirrje për kundëpërgjigje ndaj Rusisë

  • 24/06/2022 | 16:52

Ky shtet i NATO’së bën thirrje për kundëpërgjigje ndaj Rusisë

NATO ka nevojë për një prani më të “dukshme” në rajonin e Balltikut për të kundërshtuar kërcënimin që paraqet Rusia dhe Bjellorusia, tha të premten presidenti i Lituanisë Gitanas Nauseda, transmeton Gazeta Metro.


Presidenti Nauseda i tha të përditshmës europiane POLITICO se po kërkon “garanci të qarta” nga aleatët “për një prani më të dukshme këtu në Baltik”.

Pushtimi rus i Ukrainës ka nxitur një diskutim brenda aleancës ushtarake transatlantike se si të mbrohen më së miri anëtarët e saj lindorë, me liderët që do të mblidhen në Madrid javën e ardhshme për të nënshkruar plane të reja.

Duke folur përpara samitit, Nausėda i tha POLITICO se “ndryshime shumë të mëdha themelore” në Bjellorusinë fqinje e bëjnë Lituaninë më të ndjeshme ndaj një sulmi të shpejtë rus, dhe kërkojnë një ndryshim në marrëveshjet e sigurisë në rajon.

Udhëheqësi lituanez tha se ai do ta përshkruante Bjellorusinë e sotme si një “provincë shtesë” të Moskës, duke shtuar se “ushtria ruse mund të bëjë çfarë të dojë për të lëvizur forcat, dhe për të vendosur pajisjet”.

Në të kaluarën, strategjia e NATO-s mbështetej në përforcime, tha Nauseda. Forca relativisht të vogla u vendosën në skajin lindor të aleancës, me aleatët që pritej t’i vinin në ndihmë rajonit në rast sulmi.

Por realiteti i ri, sipas udhëheqësit lituanez, “nuk na lë kohë për reagim”, sepse trupat ruse “mund të vendosen lehtësisht shumë afër kufirit tonë” dhe “nuk do të ketë kohë për përforcim”, tha ai.

Tani, zyrtarët baltik po kërkojnë më shumë trupa, armë dhe mbrojtje ajrore.

Gjermania, e cila tashmë drejton një grup të NATO-s në Lituani, ka njoftuar së fundmi se do të rrisë kontributin e saj në mbrojtjen e vendit. Plani përfshin trupa që do të caktohen për sigurinë e Lituanisë.

Ky model pritet të ketë jehonë edhe në disa vende të tjera. Zyrtarët dhe diplomatët e NATO-s po negociojnë një kompromis ku disa aleatë do të rrisin praninë e tyre përgjatë krahut lindor, duke përfshirë vendosjen e më shumë armëve atje dhe caktimin e trupave në dispozicion për të mbrojtur rajonin, por pa u angazhuar për baza të përhershme afatgjatë dhe në shkallë të gjerë./gazetametro.net

 

 

 

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë