Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) ka vlerësuar se Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) nuk ka respektuar Statutin e saj dhe ka shkelur Ligjin për Sport duke caktuar 6 prillin si datë të zgjedhjeve për kryetar, shkruan Gazeta Metro.
Në FFK sot ka shkuar një letër nga Zyra e Sekretarit të Përgjithshëm të MKRS’së, ku është konstatuar se ka pasur shkelje ligjore nga Komiteti Ekzekutiv, kur u caktua data 6 prill, si datë e zgjedhjeve për të parin e FFK’së.
Departamenti Ligjor i MKRS’së, në konstatimet e tyre ka thënë se me veprimet e fundit për dhe rreth thirrjes së Kuvendit të Federatës së Futbollit, nuk është respektuar Statuti i Federatës dhe po ashtu janë konstatuar veprime në shkelje të dispozitave të Ligjit për Sport.
MKRS ka kërkuar nga organet drejtuese të Federatës që të ofrojë informacione të detajuara përkitazi me veprimet procedurale të thirrjes së Kuvendit.
Metro ka siguruar letrën e plotë të MKRS’së dërguar FFK’së, si dhe keni opinionin e plotë ligjor nga MKRS për Federatën. /gazetametro.net