Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, përmes një postimi në Facebook ka reaguar pas sukseseve të xhudistëve kosovarë në Lojërat Mesdhetare që po mbahen në Oran të Algjerisë, transmeton Gazeta Metro.
Vjosa Osmani në një postim të fundit në Facebook ka shkruar se ky është imazhi i Kosovës në botë dhe si çdo ditë tjetër, çikat dhe djemtë po ia zbardhin fytyrën vendit dhe po shkruajnë historinë e re të Kosovës.
”Ky është imazhi Kosovës në botë. Sot, si çdo ditë tjetër, çikat e djemtë tanë po ia zbardhin fytyrën vendit dhe po shkruajnë historinë e re të Kosovës. Edhe një e artë iu shtua xhudos. Atë e fitoi Laura Fazliu, çika e artë e Kosovës. Të lumtë, Laura! Ndërsa, Akili ynë, si çdoherë tjetër na bëri rishtas krenarë, duke e fituar medaljen e bronztë, kësaj radhe. Faleminderit, Akil!,” shkruan Osmani.
Kujtojmë që Kosova momentalisht gjendet në pozitën e dytë në renditjen e shteteve me më shumti të fituara medalje në xhudo, ku në vendin e parë është Spanja me një medalje më shumë të fituar. /gazetametro.net