Dy seanca plenare do të zhvillohen sot në Kuvendin e Kosovës. Ajo e para është e jashtëzakonshme dhe do t’i dedikohet Astrit Deharit, aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje që vdiq në qendrën e paraburgimit në Prizren ndërsa e dyta do të jetë seancë e rregulltë me gjashtë pika të rendit të ditës.
Seanca e parë, do të nis në orën 10:00, ndërsa ajo e dyta nga ora 15:00.
Pikat e rendit të ditës për seancën e dytë do të jenë:
- Formimi i Komisionit ad hoc për përzgjedhjen e 1 (një) anëtari në Bordin e Ankesave të Komisionit të Pavarur për Medie,
- Formimi i Komisionit Hetimor Parlamentar, sipas kërkesës së deputetes Shqipe Pantina, mbështetur edhe nga tetë deputetë të tjerë nga Grupi Parlamentar i Lëvizjes “Vetëvendosje” lidhur me Radiotelevizionin e Kosovës,
- Votimi i rekomandimeve nga debati parlamentar sipas kërkesës së deputetes Margarita Kadriut-Ukelli, mbështetur edhe nga nëntë deputetë tjerë nënshkrues lidhur me detyrimet e mundshme financiare të Kosovës për pretendimet e kompanive që kanë ushtruar padi në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit.
- Votimi i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit të Procedurës penale,
- Votimi i Raportit vjetor financiar i Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm për vitin 2015,
- Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për akreditim.