Kryesia e Kuvendit e mledhur sot me kryetarët e grupeve parlamentarë, nën udhëheqjen e Kadri Veselit, ka marrë vendim që të enjten, më 17 nëntor, në orën 10:00, Kuvendi i Republikës së Kosovës të shqyrtojë pikat e mbetura të seancës së 28 tetorit, e cila ishte ndërprerë në mungesë të kuorumit.
Në këtë vazhdim të seancës, pritet të mbahet raundi i dytë i votimit të fshehtë për zgjedhjen e një anëtari të Këshillit Prokurorial të Kosovës, si dhe votimi, po ashtu i fshehtë, për zgjedhjen e një anëtari të Bordit të Komisionit të Pavarur për Medie.
Në vazhdim, pritet formimi i Komisionit ad hoc për përzgjedhjen e një anëtari në Bordin e Ankesave të Komisionit të Pavarur për Medie, formimi i Komisionit Hetimor Parlamentar, sipas kërkesës së deputetes Shqipe Pantina, mbështetur edhe nga tetë deputetë të tjerë nga Grupi Parlamentar i Lëvizjes “Vetëvendosje” lidhur me Radiotelevizionin e Kosovës.
Poashtu, të zhvillohet debat parlamentar sipas kërkesës së deputetes Margarita Kadriut-Ukelli, mbështetur edhe nga nëntë deputetë tjerë nënshkrues, lidhur me detyrimet e mundshme financiare të Kosovës për pretendimet e kompanive që kanë ushtruar padi në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit.
Këtu Kryesia u njoftua edhe me kërkesën e Lëvizjes Vetëvendosje dhe të deputetëve nënshkrues, për seancë të jashtëzakonshme, për datën 16 nëntor, në lidhje me zhvillimet e fundit hetimore në rastin e vdekjes së të paraburgosurit Astrit Dehari në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, si dhe me shkresën e deputetit Bislim Zogaj, për tërheqjen e nënshkrimit të tij nga kjo kërkesë, shkruan gazetametro.net
Në këto rrethana, pas tërheqjes së nënshkrimit nga Zogaj, u konstatua se kërkesa, e mbetur me 39 nënshkrime, nuk i plotëson kushtet për seancë të jashtëzakonshme.
Në këtë situatë, përfaqësuesit e GP të Vetëvendosjes në Kryesi, e lëshuan mbledhjen, duke bërë të ditur se nuk janë të gatshëm të marrin pjesë në asnjë seancë të rregullt, pa këtë seancë të jashtëzakonshme.
Kryesia nuk pati kuorum për të vazhduar më tej mbledhjen./gazetametro.net