Gjykata Kushtetuese në Shqipëri gjatë ditës së enjte, më 3 shkurt, po vazhdon seancën për shqyrtimin e kërkesës së Kuvendit për shkarkimin e presidentit të shtetit, Ilir Meta.
Seanca për shkarkimin e presidentit Meta u shty për të enjten pas kërkesës së përfaqësuesve të presidentit, të cilët do të paraqisnin argumentet e tyre.
Përreth 2 orë, me një material 140 faqesh, këshilltari juridik i presidentit Ilir Meta, Bledar Dervishaj, ka argumentuar provat në mbrojtje të kreut të shtetit.
Dervishaj ka thënë se nuk është presidenti ai që e ka shkelur Kushtetutën, por Kuvendi.
“Në asnjë moment, nuk rezulton se presidenti e ka shkelur Kushtetutën. Procesi hetimor kishte për qëllim vetëm hakmarrjen politike ndaj kreut të shtetit. Proces i nisur politikisht për t’u hakmarrë ndaj tij dhe për të shmangur vëmendjen nga problematikat që kishte procesi zgjedhor (për 25 prillin)”, është shprehur Dervishaj.
Gjykata Kushtetuese nisi të martën procesin e gjykimit të vendimit të Kuvendit për shkarkimin e presidentit Iliri Meta me një seancë publike dhe praninë e të dyja palëve, Kuvendit të Shqipërisë dhe Presidencës.
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta.
Gjykata Kushtetuese nis shqyrtimin e shkarkimit të presidentit Meta
Seanca e së martës zgjati 9 orë dhe u shty për ditën e enjte pas “ezaurimit të pyetjeve” nga relatori i çështjes(gjyqtari i rastit), Përparim Kalo, i cili u drejtoi 29 pyetje përfaqësuesve të Kuvendit. Në seancën e së enjtes po dëgjohet pala tjetër, Presidenti.
Vetë Meta nuk është i pranishëm në sallë, por janë përfaqësuesit e tij ligjorë.
Deputetët e Partisë Socialiste kishin themeluar një Komision hetimor për ta hetuar presidentin Meta për shkeljen e Kushtetutës para dhe gjatë fushatës zgjedhore të zgjedhjeve qendrore në prill të vitit 2021.
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta.
Kuvendi i Shqipërisë voton për shkarkimin e presidentit Meta
Deputetët, pas gjetjeve të Komisionit, më 9 qershor të vitit 2021 kanë votuar në favor të shkarkimit të presidentit Ilir Meta me 104 vota, duke thënë se ai ka shkelur Kushtetutën e Shqipërisë dhe se “me veprimet, sjelljet dhe mesazhet e dhëna në publik nuk ka garantuar unitetin kombëtar, nuk ka moderuar konfliktin politik, por përkundrazi e ka nxitur atë në terma të tilla, të cilat sollën si pasojë daljen e organizuar të militantëve të partive politike në rrugë duke terrorizuar qytetarët,duke kufizuar lirinë e tyre të lëvizjes, si dhe lirinë personale, deri në kryerjen e konflikteve me armë”.
Neni 90 i Kushtetutës së Shqipërisë e parasheh shkarkimin e presidentit nga Kuvendi për shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe për kryerjen e një krimi të rëndë.
Sipas këtij neni, propozimi për shkarkimin e presidentit, në raste të tilla mund të bëhet nga të paktën një e katërta e anëtarëve të Kuvendit apo 35 deputetë nga 140 sa i ka Kuvendi i Shqipërisë.
Presidenti Meta ka thënë se nuk do të njohë asnjë veprimtari të një kuvendi “njëpartiak” dhe se do të ushtrojë detyrën e tij deri më 24 korrik të vitit 2022. Ai këtë deklaratë e bëri pasi shkarkimi i tij u votua në një kohë kur opozita e Shqipërisë kishte djegur mandatet e veta në Kuvend.
Ato (mandatet) ishin zëvendësuar nga një opozitë tjetër, nga persona të partive përkatëse, por që nuk kishin marrë votat e mjaftueshme për t’u bërë deputetë në zgjedhje. /rel