Loading…

Kushtet që duhen plotësuar për hapjen e negociatave me BE

  • 29/11/2016 | 17:45

Kushtet që duhen plotësuar për hapjen e negociatave me BE

Akademiku i njohur, profesori Artan Fuga nisur nga debati i fundit mbi kushtet që duhet të plotësojë Shqipëria për çeljen e negociatave me Bashkimin Evropian, ka renditur kushtet që qeveria duhet të plotësojë për shqiptarët.

Fuga bën thirrje që të lihen mënjane vetting­u dhe lobingjet, dhe t’u japen të drejtat që u takojnë qytetarëve të trajtuar si derra dhe bagëti, si qenie pa tru dhe si skllevër.

“Kush nuk u jep qytetarëve këto të drejta, ai e pengon integrimin shqiptar në BE”, shkruan Fuga. Kushte suplementare për t’u integruar në BE Artan Fuga – Kur për çdo pulë të therur dhe të vendosur në një frigorifer shtëpie ose dyqani, kur ndërpritet energjia elektrike dhe pula shkrin, gjobën disa herë sa çmimi i pulës ta paguajë operatori me të cilën është lidhur kontrata e furnizimit me atë energji.

– Kur për çdo dëmtim të një qytetari që rrëzohet në rrugë si pasojë e një hendeku ose trotuari të parregulluar, gjobën si edhe dëmshpërblimin, përpos shpenzimeve të mjekimit të tij, t’i paguajë bashkia.

– Kur për çdo autoveturë që thyhet nga gropat në rrugë, shpenzimet dhe gjobën për këtë dëmtim ta paguajë ministria e transporteve ose bashkia që mbulon atë zonë.

– Kur për çdo vonesë më shumë se 30 minuta të një treni, autobusi ose avioni, udhëtari të dëmshpërblehet me çmimin e biletës së prerë.

– Kur për çdo sëmundje mushkërish, dëmin personal si shpenzimet e mjekimit t’i paguajë ministria e shëndetësisë, e mjedisit ose bashkia që kontrollon territorin e tej ndotur.

– Kur uji në të gjithë territorin e Republikës të vijë 24 orë dhe pa nevojën e depozitave dhe pompave të pallateve që rëndojnë buxhetin e banorëve

. – Kur bashkitë të selektojnë mbetjet urbane sipas klasifikimit të tyre dhe t’i riciklojnë pa ndotur mjedisin.

– Kur për çdo qytetar, edhe administratori më i lartë publik të detyrohet t’i plotësojë kërkesën për informacion brenda tre ditësh.

– Kur për çdo kastravec të shitur, kungull me ose pa fara, për çdo shalqi, kilogram mishi, për çdo copë sallami, suxhuku, ose salsiçeje, të dihet origjina nga ana e konsumatorit, lëre pastaj për çdo kokërr limoni, kumbulle, qershie, a rrushi.

– Kur në administratë të mos ketë asnjë nëpunës të pranuar sepse është antar i ndonjë partie, por me konkurs të rregullt.

– Kur për çdo të sëmurë për të cilin jepen mjekime të gabuara dhe medikamente jashtë standardit, gjobën, dëmshpërblimin dhe zhdëmtimin i paguan shteti, spitali apo ministria.

Le t’i lemë historitë me vetingje, mitingje, lobingje, etj., por t’u japim të drejtat që u takojnë qytetarëve të trajtuar si derra dhe bagëti, si qenie pa tru dhe si skllevër. Atëhere të bërtasim : “Europë, Europë!” Kush nuk u jep qytetarëve këto të drejta, ai e pengon integrimin shqiptar në BE.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë