Loading…

Kush janë ambasadorët e rinj të Kosovës nëpër botë?

  • 30/11/2021 | 10:13

Kush janë ambasadorët e rinj të Kosovës nëpër botë?

12 vendet e zbrazëta nëpër shtëpitë përfaqësuese të Kosovës nëpër vende të ndryshme të botës, më në fund janë plotësuar.


Ministria e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka publikuar emrat e ambasadorëve të rinj të Kosovës.

Në vend të konferencës për medie, Gërvalla zgjodhi një studio televizive në Kosovë për të treguar emrat e rinj të diplomatëve kosovarë nëpër botë.

Në T7, ministrja Gërvalla tregoi të hënën mbrëma se, në ambasadën e Kosovës në Uashington në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është emëruar Ilir Dugolli.

Ilir Dugolli, Ambasador i ri i Kosovës në SHBA

Por, kush është Ilir Dugolli?

Ilir Dugolli aktualisht është ambasador i Kosovës në Turqi.

Ai ishte emëruar shef i misionit diplomatik në Ankara në vitin 2019. Emërimi i tij ishte bërë me propozim të zëvendëskryeministrit dhe ministrit të atëhershëm të Punëve të Jashtme, Behgjet Pacollit.

Më herët, Dugolli ka qenë ambasador në Belgjikë.

Ai po ashtu ishte akredituar si ambasador i jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë i Kosovës në Estoni, atëherë me rezidencë në Belgjikë.

Dugolli ka studiuar në Universitetin britanik “Yale” dhe në “Central European University”.

Ilir Kapiti, Ambasadori i ri i Kosovës në Britani të Madhe.

Në Britani të Madhe, Kosovës do ta përfaqësoj Ilir Kapiti.

Por, kush është Ilir Kapiti?

Ilir Kapiti, është zëvendësministër në Ministrinë e Financave dhe Tranfereve. Edhe në mandatin e parë të qeverisë Kurti, ai mbante të njëjtën pozitë.

Pas rrëzimit të qeverisë vitin e kaluar dhe shpalljes së zgjedhjeve të reja, Kapiti kërkoi votën për deputet në zgjedhjet e 14 shkurtit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje. Kapiti ka lindur në Medvegjë.

“Ai ka marrë miratimin nga Qeveria e Britanisë së Madhe dhe mbetet vetëm të marrë kredencialet nga Mbretëresha”, ka treguar Gërvalla.

Kjo ambasadë bashkë me atë të Francës ishin me ushtrues detyre që nga muaji gusht i këtij viti.

Mehdi Halimi, Ambasador i Kosovës në Francë

Tani, në ambasadën e Kosovës në Francë është vendosur Mehdi Halimi.

“Shumë vite jeton në Francë. Ka punuar edhe në ambasadën franceze në Kosovë. Është njeri i letrave dhe e njeh ambientin. Lëviz si peshku në ujë në Francë. Është pritur nga qeveria franceze dhe pret vetëm akreditimin”, tregoi Gërvalla.

Pot, kush është Mehdi Halimi?

Mehdi Halimi është profesor i asocuar në Universitetin e Prishtinës, teksa ka doktoruar në Gjuhësi në Universitetin e Parisit në vitin 2001.

Halimi në vitet 1994 – 1998, kishte punuar si profesor i frëngjishtës në shkollën e mesme “Aleksandër Xhuvani” në Podujevë. Gjatë kohës së luftësai  kishte shërbyer si përkthyes dhe interpret në Paris dhe Lille.

Ai ishte pjesë e misionit diplomatik francez në Kosovë, ku mes viteve 2007 dhe 2010 punoi si përgjegjës në sektorin e vizave attache de presse në Ambasadën e Francës në Kosovë.

Albesjana Iberhysaj, Ambasadore e Kosovës në Çeki

Gërvalla po ashtu tha se përfaqësuese e Kosovës në Çeki do të jetë Albesjana Iberhysaj.

Faruk Ajeti, Ambasador i Kosovës në Gjermani

Ndërsa ambasadori i ri i Kosovës në Gjermani do të jetë Faruk Ajeti.

“Faruk Ajeti ka shkuar në Gjermani dhe do të jetë ambasadori i ri atje”.

“Është gjermano folës. Është studiues tepër i mirë i marrëdhënieve të jashtme dhe ka kryer studime në akademitë austriake. Ka filluar punën e tij nga data 6 nëntor. I kemi dërguar kredencialet tek presidenti dhe nga ai moment do të përfaqësojë Kosovën atje”, ka thënë ndër të tjera Gërvalla.

Gërvalla ka folur edhe për emërimin e ambasadorit të Kosovës në BE.

Agron Bajrami, Ambasador i Kosovës në BE

“Gazetari Agron Bajrami është ambasadori ynë në Bruksel i cili në një kohë rekord ka marrë miratimin e Mbretërisë së Belgjikës për të qenë ambasadori ynë atje. Dhe zoti Bajrami i cili si rrallë kush e njeh relacionin Kosovë-BE”, shtoi ajo.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë