Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Alternativës, Mimoza Kusari Lila, e ka mirëpritur vendimin e Qeverisë për rritjen e taksës ndaj produkteve të Serbisë dhe atyre të Bosnjës në 100%.
Kusari-Lila përmes një statusi në Facebook, ka thënë se vendimi i Qeverisë është shumë i qëlluar, pas sjelljeve të fundit të Serbisë ndaj Kosovës, përcjell gazetametro.net.
Ky vendim, sipas saj duhet të kushtëzohet me kërkesa të qarta ndaj Serbisë, në mënyrë që ajo të ketë presion nga kompanitë e saj për të plotësuar kushtin e vendosur nga Kosova.
Tutje, Kusari-Lila ka numëruar tri çështje me të cilat duhet të lidhet kushti.
‘Zbatimin e marrëveshjes së Energjisë, zbatimin e marrëveshjes së lëvizjes së lirë dhe ndaljen e menjëhershme të luftës diplomatike të Serbisë ndaj Kosovës’, ka shkruar ajo.
Ndryshe, dy javë më parë Qeveria e Kosovës vendosi taksën prej 10% ndaj produkteve të Serbisë, ndërsa sot e ngriti atë në 100%./gazetametro.net