Loading…

Kurti s’ka vendosur për emrin e mandatarit, LDK e gatshme ta formojë Qeverinë pa VV’në

  • 08/04/2020 | 13:57

Kurti s’ka vendosur për emrin e mandatarit, LDK e gatshme ta formojë Qeverinë pa VV’në

Derisa Kushtetuta e Kosovës nuk parasheh një afat ligjor se kur partia fituese e zgjedhjeve duhet të propozojë emrin e mandatarin të ri, nga Lëvizja Vetëvendosje thonë se presidentit Thaçi do t’i përgjigjet në një afat jo të largët. Në anën tjetër, nga Kryesia e LDK-së kanë deklaruar se janë duke i bërë përgatitjet e fundit për formimin e qeverisë së re gjithëpërfshirëse. 


6 ditë kanë kaluar prejse presidenti i vendit, Hashim Thaçi, i kërkoi kryeministrit në detyrë Albin Kurtit që ta propozojë emrin e mandatarit të ri, i cili do ta formojë qeverinë e ardhshme. E edhe 6 ditë pas kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, parti kjo e cila doli e para në zgjedhjet e 6 tetorit, nuk e ka caktuar një afat kohor se kur do t’i përgjigjet presidentit Thaçi, ndonëse një afat i tillë nuk parashihet as me Kushtetutën e vendit.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, e ka konfirmuar për “Zërin” gatishmërinë e kryeministrit Kurti për t’iu përgjigjur presidentit, mirëpo, siç ka thënë ai, aktualisht jetike për vendin është përballja me pandeminë COVID–19. “Tani për tani prioritet i parë i kryeministrit Kurti, sikurse edhe i Qeverisë, për tashmë gati një muaj, vazhdon të jetë menaxhimi i pandemisë COVID-19, me qëllim mbrojtjen e jetës së qytetarëve dhe të shëndetit publik. Përballë kësaj sfide çdo çështje politike ose partiake duhet konsideruar e rëndësisë dytësore dhe tretësore”, ka theksuar Kryeziu.

Tutje ai ka shtuar se kryeministri Kurti do t’i përgjigjet presidentit Thaçi në një afat jo të largët, pasi ta ketë analizuar mirë situatën. “Përkundër kësaj, z. Kurti, në cilësinë e tij si kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, do të gjejë një mundësi adekuate dhe jo të largët për të analizuar, me kujdesin e duhur, kërkesën e presidentit, si dhe për t’i kthyer përgjigje asaj”, potencoi ai.

LDK-ja e gatshme ta formojë qeverinë e re, pa LVV-në

E derisa janë në pritje që kreu i LVV-së, Albin Kurti, të japë përgjigjen e tij për të mandatuarin e radhës, Lidhja Demokratike e Kosovës nuk po rri duarkryq.

Madje kjo parti, e cila doli e dyta në zgjedhjet e 6 tetorit, është duke punuar që të krijojë një qeveri të re së bashku me AAK-në, Nismën dhe pakicat.

Një gjë të tillë e ka konfirmuar për “Zërin” nënkryetari i kësaj partie, Haki Rugova, i cili ndër të tjera ka potencuar se partia e tij do të veprojë vetëm në pajtim me Kushtetutën e vendit. “Ne sigurisht që do të veprojmë konform Kushtetutës së vendit. Të shohim, tash jemi duke pritur emrin e mandatarin të ri, nëse nuk ka, atëherë kalojmë në faza të tjera. Është një çështje e cila nuk është dashur të bëhet temë aktualisht, sepse duhet të veprohet tutje”.

Ai ka thënë se meqenëse Qeveria aktuale është në ikje, vendit i duhet një qeveri gjithëpërfshirëse, derisa të kalohet pandemia botërore COVID–19. “Qeveria është në ikje dhe Kosovës i duhet një qeveri e re me një konsensus të të gjitha subjekteve politike derisa të shkohet në zgjedhje të reja, të cilat duhet të mbahen gjithsesi, mirëpo derisa të kalojë situata e pandemisë unë mendoj që është mirë të bëhet kjo qeveri”, shtoi tutje Rugova.

Duke theksuar se LDK-ja është e përkushtuar ta respektojë Kushtetutën e vendit, nënkryetari i LDK-së deklaroi po ashtu se duhet të respektohet vullneti i mbi 80 deputetëve që votuan pro mocionit për rrëzimin e qeverisë “Kurti”. “Shpeshherë unë po dëgjoj që po thonë qeveri legjitime dhe jolegjitime. Po supozoj, nëse mbi 80 deputetë votuan pro mocionit, atëherë nuk mund t’i quajmë ata jolegjitimë, sepse ata janë deputetë që kanë ardhur aty me vota të deputetëve. Kjo duhet të vendoset në bazë të rregullave dhe të ligjeve të Kushtetutës së Kosovës, ajo është e vetmja formë dhe ajo i pajton gjitha palët në fund. LDK-ja është e përkushtuar të veprojë në këto vija, në këtë formë”, ka thënë Rugova.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë