Loading…

‘Kurti po e lë Kosovën në pleq!’: Alarm nga statistikat, mbi 10 mijë nxënës më pak në vetëm një vit

  • 09/06/2026 | 10:41

‘Kurti po e lë Kosovën në pleq!’: Alarm nga statistikat, mbi 10 mijë nxënës më pak në vetëm një vit

Rreth 10 mijë nxënës më pak në arsimin fillor e të mesëm të ulët për vetëm një vit ka Kosova, ndërsa universitetet publike humbën mbi 2 mijë e 400 studentë krahasuar me vitin paraprak, shkruan Gazeta Metro.


Derisa Qeveria Kurti vazhdon të flasë për zhvillim dhe perspektivë, statistikat e fundit të arsimit tregojnë një realitet tjetër për Kosovën.
Vendi ynë, çdo vit më pak është duke pasur nxënës e studentë në bankat shkollore dhe universitare.

Rënia e numrit të të rinjve në arsim po vazhdon pothuajse në çdo nivel, duke reflektuar emigrimin, uljen e lindshmërisë dhe largimin e familjeve nga vendi.

Agjencia e Statistikave të Kosovës në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, ka publikuar statistikat e arsimit për vitin shkollor 2025/2026, të cilat tregojnë rënie të vazhdueshme të numrit të nxënësve dhe studentëve në Kosovë.

Sipas të dhënave, përjashtim bën vetëm niveli parashkollor, ku është regjistruar një rritje e lehtë e numrit të fëmijëve.
Në vitin shkollor 2025/2026, numri i fëmijëve në çerdhe dhe parashkollor ishte 35 mijë e 948, apo 1 mijë e 910 më shumë krahasuar me vitin paraprak, kur ishin 34 mijë e 38 fëmijë.

Nga ta, 24 mijë e 422 fëmijë apo 67.9 për qind janë në sektorin publik, ndërsa 11 mijë e 526 apo 32.1 për qind në sektorin privat.
Megjithatë, në nivelet tjera të arsimit, statistikat tregojnë rënie të vazhdueshme.

Në arsimin fillor dhe të mesëm të ulët, numri i nxënësve ka rënë nga 208 mijë e 515 në vitin 2024/2025 në 198 mijë e 639 në vitin 2025/2026. Pra, për vetëm një vit, janë rreth 10 mijë nxënës më pak në shkollat e Kosovës.

Në sektorin publik janë regjistruar 194 mijë e 314 nxënës, ndërsa në sektorin privat vetëm 4 mijë e 325.

Edhe arsimi i mesëm i lartë ka shënuar rënie. Në vitin shkollor 2025/2026 janë regjistruar 62 mijë e 85 nxënës, krahasuar me 63 mijë e 551 një vit më parë.

Në shkollat publike janë 56 mijë e 892 nxënës, ndërsa në sektorin privat 5 mijë e 193.
Rënie ka edhe në arsimin e lartë. Numri i përgjithshëm i studentëve në Kosovë ka rënë nga 64 mijë e 817 në vitin 2024/2025 në 64 mijë e 671 në vitin 2025/2026.

Në universitetet publike studiojnë 34 mijë e 208 studentë ose 52.9 për qind, ndërsa në kolegjet private 30 mijë e 463 studentë ose 47.1 për qind.

Krahasuar me vitin paraprak, universitetet publike kanë humbur mbi 2 mijë e 400 studentë, ndërsa kolegjet private kanë shënuar rritje.
Shifrat tregojnë se Kosova po përballet me një tkurrje të vazhdueshme të numrit të nxënësve dhe studentëve, ndërsa shkollat dhe universitetet publike po boshatisen./gazetametro.net

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë