Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar për herë të parë për situatën e krijuar sot në veri të vendit, duke thënë që Qeveria s’i duron bandat kriminale, shkruan Gazeta Metro.
Me anë të një postimi në Facebook, Kurti ka thënë se bandat kriminale kanë intensifikuar sulmet në veri të Kosovës.
Ai ka thënë se Qeveria e Kosovës s’bën pazare me to dhe as s’i duron ato.
Tutje Kurti ka thënë se këto grupe kriminale paguhen nga Serbia dhe dirigjohen nga presidenti i saj.
“Ato e dinë se po ju vie fundi. Qeveria e Kosovës as s’bën pazare me to dhe as s’i duron ato. Bombat që hedhin, plumbat që shkrepin dhe maskat që vendosin janë pafuqia e tyre politike e popullore. Me këto krime e sulme të armatosura në veri të Ibrit, doemos do të kemi më shumë polici të Kosovës atje. Sepse do të ketë hetime e ndjekje të këtyre kriminelëve, që paguhen nga Serbia e dirigjohen nga presidenti i saj. Shkeljet e shumta të ligjit nuk do të falen kurse tendencat për destabilizim kriminal do të dështojnë. Në katër komunat në veri nuk është ndarja në serbë e shqiptarë, por në banda kriminale dhe qytetarë. Kërkoj nga të gjithë qytetarët e Kosovës që të mbështesin shtetin dhe policinë e Kosovës, të gjithë zyrtarët tanë që po mbrojnë kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë, republikën dhe demokracinë.”, ka shkruar Kurti.
Policia e Kosovës kanë treguar se sot më datë 6 dhjetor 2022, në komunat Zubin Potok dhe Mitrovicë Veri, njësitë policore të rendit publik kanë shoqëruar zyrtarët e Komisionit Komunal zgjedhor në zyrat e komisionit komunal zgjedhor, të cilat ndodhen në komunat Zubin Potok e Mitrovicë Veri me qellim të kryerjes së detyrave dhe kompetencave të tyre ligjore.
Siç thuhet në komunikatën e PK-së, në disa zona në Zubin Potok dhe në Veri të Mitrovicës janë regjistruar disa incidente, e që sipas policisë dyshohet të jenë shkrepje armësh dhe shpërthime. /gazetametro.net