Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur në konferencë për media pas përfundimit të takimit 12 orësh në Ohër me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vucic dhe ndërmjetësuesit europianë, Josep Borrell dhe Miroslav Lajcak, transmeton Gazeta Metro.
Ai ka thënë se janë pajtuar me palën serbe për një aneks që do të udhëzojë zbatimin e marrëveshjes bazë.
Megjithatë, Kurti është ankuar se Serbia nuk ka dashur të nënshkruajë përsëri marrëveshjen edhe pse tani është me aneks.
”Erdhëm në Ohër për të nënshkruar marrëveshjen bazë me aneksin e zbatimit. Kemi arritur pajtim publik për një aneks që do të udhëzojë zbatimin e marrëveshjes bazë. Pala tjetër njëjtë sikurse në takimin e kaluar në Bruksel më 27 shkurt po i ikë nënshrkimit të marrëveshjes tash edhe me aneks. I takon BE’së që të gjejë mekanizimin për ta bërë statutin e kësaj marrëveshje, ligjërisht dhe ndërkombëtarisht të obligueshme,” tha ai.
Ndër të tjerash, shefi i ekzekutivit kosovar theksoi se aneksi i zbatimit do të publikohet në uebfaqen e BE’së.
”Sa për aneksin e zbatimit ai do të publikohet në ueb faqen e BE’së dhe aty do ta lexoni dhe do ta kuptoni edhe çka ka edhe çka s’ka,” tha ai.
Kujtojmë se më herët Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Europian, Josep Borrell, tha se është pajtuar që të nis menjëherë implementimin e nenit 7 të propozimit europian.
”Për të implementuar nenin 7 të marrëveshjes Kosova është pajtuar që të nis menjëherë dhe kur them menjëherë e mendoj menjëherë negociatat me BE’në në themelimin për të vendosur aranzhimet, rregullimet dhe përgatitjet për të siguruar një nivel të mirëfilltë të vetmenaxhimit të komunitetit serb në Kosovë,” tha Borrell. /gazetametro.net
Kurti pranon Asociacionin, Borrell: Kosova u pajtua që menjëherë të nis negociatat me BE’në