Loading…

Kurti: Nuk mund të ketë individë më të fuqishëm se shteti

  • 25/06/2022 | 17:52

Kurti: Nuk mund të ketë individë më të fuqishëm se shteti

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në një takim pune me kryetarët e nënkryetarët e komunave të Kosovës, diskutoi për “Të drejtat e njeriut, sundimin e ligjit, zhvillimin ekonomik dhe investimet”.


Takimi është organizuar nga zëvendëskryeministrja Emilija Redžepi. Në sesionin e parë të takimit u diskutua për sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut, me theks te zbatimi i të drejtave të komuniteteve pakicë.

Në fjalën e tij, kryeministri Kurti shprehu kënaqësinë që së bashku me udhëheqësit e komunave do të diskutojnë tema që kanë rëndësi fundamentale për shtetin, shoqërinë në përgjithësi dhe qytetarët.

Kryeministri Kurti tha se përkushtimi ynë për krijimin e një klime të respektimit maksimal të të drejtave të njeriut, dëshmohet edhe përmes organizimit të sotëm, ku siç tha ai, megjithëse nuk është data 10 dhjetor e Deklaratës Universale të Drejtave të Njeriut, po e vëmë theksin për veprimet që kemi ndërmarrë deri tani e ato që duhet t’i ndërmarrim përpara, ashtu që të shënojmë edhe më shumë progres e t’i rrisim hapat në fushën e të drejtave të njeriut.

“Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut, mësimet e saj dhe detyrimet që derivojnë nga ajo, mbesin referencë e çdoditshme e jona dhe e punës tonë. Ato na shërbejnë si udhërrëfyes për secilin vendim tonin. E pra, synimi më i mirë për mbrojtjen, garantimin dhe përmirësimin e të drejtave të njeriut për ne është burim i çdo vendimi, si dhe shkak i çdo veprimi”, tha kryeministri Kurti.

Më tej, kryeministri theksoi se jemi të vetëdijshëm dhe vazhdimisht i kemi në mendje maksimat e aktivistëve të paepur, që me shembujt e tyre, me thëniet e tyre ikonike si “ekzistimi i padrejtësisë diku është kërcënim për drejtësinë kudo” apo “mohimi i të drejtave njerëzore është cenim i drejtpërdrejtë i vetë qenies njerëzore” na e kanë trasuar rrugën prej së cilës as nuk mund e as nuk duam të dalim, sepse në fakt nuk ka rrugë tjetër.

“E infrastrukturë kyçe e kësaj rruge të duhur është një sistem i drejtësisë i cili duhet të sigurojë e të përkujdeset për aplikim të gjithmonshëm të rendit e të ligjit. Kjo është arsyeja pse drejtësia është njëri nga dy prioritetet tona dhe opinionet e javës së kaluar nga Komisioni i Venecias për dy çështjet më integrale lidhur me të, na treguan se reforma e hartuar nga ana jonë është edhe adekuate edhe e nevojshme”, tha kryeministri Kurti.

“Ne, pothuajse më së miri e dimë se ashtu sikurse liria që kurrë nuk dhurohet por fitohet, as drejtësia nuk jepet, por duhet të vendoset. Prandaj, jemi të interesuar e po punojmë që ta ndërtojmë një sistem që vendosë drejtësi të bazuar vetëm në ligj – të cilit i nënshtrohen të gjithë e që e dominon secilin. Nuk mund të ketë individë më të fuqishëm se shteti, as grup më të fuqishëm se Republika, e rrjedhimisht asnjë mbi ligjin apo anash tij”, tha ai.

Në sesionin e parë folën edhe zëvendëskryeministrja Emilija Redžepi, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu si dhe kryetarët e nënkryetarët e komunave. Zëvendëskryeministrja Redžepi, në fjalën e saj theksoi domosdoshmërinë e respektimit të të drejtave të komuniteteve pakicë, të drejtave të personave me aftësi të kufizuara, krijimin e kushteve për lëvizje të lirë dhe për punësim.

Ministrja Haxhiu kërkoi nga udhëheqësit komunalë angazhim edhe më të madh në zbatimin e ligjit dhe respektimin e të drejtave të njeriut, si edhe parandalimin e ndikimit politik nëpër gjykatat komunale.

Kryetarët e nënkryetarët e komunave e cilësuan të dobishëm takimin dhe temën e diskutimit. Ata theksuan sfidat dhe problemet që hasin gjatë zbatimit të ligjit, projektet e ndryshme me organizata joqeveritare dhe ambasadat e huaja për përmirësimin e kushteve për komunitetet pakicë, nevojën për reforma administrative, problemet me mungesën e noterëve nëpër komuna e të tjera.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë