Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, me një videomesazh u është drejtuar serbëve në Kosovë, duke iu treguar se çfarë lehtësirash do kenë nëse regjistrojnë veturën me targat RKS, shkruan Gazeta Metro.
Kurti, në videon e postuar në Facebook në gjuhën serbem njoftoi edhe zyrtarisht vendimin e qeverisë për reciprocitet të targave dhe letërnjoftime me Serbinë.
Lehtësimet që do kenë këto vetura sipas Kurtit janë të shumta, duke përfshirë moshyrjen në procedura të doganës, e as kontrollim teknik gjatë regjistrimit të parë.
‘’ Thirrje qytetarëve të Republikës që targat ilegale t’i shndërrojnë në ato RKS me qëllim të vendosjes së ligjshmërisë’’, thuhet në videon e postuar.
Kujtojmë se me 29 qershor qeveria e Kosovës pati vendosur rregullimin e kalimit të kufirit shtetëror për qytetarët me dokumente personale të lëshuara nga autoritetet e Serbisë, si dhe veturat me targa të regjistrimit të Serbisë.
Çdo person që paraqitet për kalim të kufirit shtetëror me dokument të identifikimit personal të lëshuar nga autoritetet e Serbisë, në pikë-kalimet kufitare do të pajiset me një fletë-deklarim që përkohësisht e zëvendëson përdorimin e dokumentit të tillë. Ndërsa automjetet me targa të regjistrimit të Serbisë që paraqiten për kalim të kufirit shtetëror dhe kanë për qëllim të lëvizin në territorin e Republikës së Kosovës, duhet të vazhdojnë të kenë të vendosur ngjitësin në pjesën e simboleve dhe emërtimit shtetëror. Ky mekanizëm do të vlejë deri me 31 tetor 2022.
”Ndërkaq përmes një vendimi tjetër në mbledhjen e sotme mundësuam regjistrimin e automjeteve me targa RKS për të gjitha automjetet e pajisura me targat “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA” nga 10 qershori 1999 deri më datë 21 prill 2022. Regjistrimi do të fillojë më 1 gusht 2022 dhe do të zgjasë deri më 30 shtator 2022. Ky vendim ka karakter të papërsëritshëm pas përfundimit të periudhës së vlefshmërisë”, thuhej në njoftimin e qeverisë e para pak ditësh./gazetametro.net