Loading…

Kurti mbetet ‘me gishta në gojë’: S’i dhezin ‘pazaret’ me opozitën, e çon vendin drejt zgjedhjeve

  • 20/04/2026 | 23:00

Kurti mbetet ‘me gishta në gojë’: S’i dhezin ‘pazaret’ me opozitën, e çon vendin drejt zgjedhjeve

Albin Kurti duket se ka mbetur në udhëkryq pas dështimit të njëpasnjëshëm për t’i bindur dy partitë kryesore opozitare që t’i bëjnë kuorumin për Presidentin. Edhe pse ai nxori në tavolinë oferta për ndarje postesh, zëvendëskryeministra e ministri, si LDK ashtu edhe PDK i kanë dhënë fund çdo shprese për marrëveshje, duke e cilësuar qasjen e tij si “pazar” të vonuar dhe joserioz, shkruan Gazeta Metro.


Pas takimit të fundit, Kurti pranoi se negociatat me LDK-në nuk prodhuan asgjë. Ai u mundua të tregohej ‘bujar’ duke treguar se Lumir Abdixhikut i kishte ofruar pozita kyçe, përfshirë Ministrinë e Jashtme dhe drejtimin e Kuvendit, por asgjë nuk kreu punë.

Kurti u ankua se përveç dështimit me LDK-në, as Bedri Hamza nuk pranoi t’i shkonte në takim, duke e quajtur këtë lëvizje të PDK-së si një lloj bojkoti.

Në kampin e LDK-së, Lumir Abdixhiku ishte i prerë. Ai bëri të qartë se bisedimet për ta janë kapitull i mbyllur, pasi nuk mund të lejojnë që një parti e vetme t’i kontrollojë të gjitha institucionet. Sipas tij, LDK nuk shkoi në takim për të lypur ministri apo karrige, por për të gjetur një zgjidhje që nuk e kthen shtetin në pronë të një subjekti.

Edhe më i ashpër u tregua Bedri Hamza i PDK-së, i cili ofertën e Kurtit për t’ia dhënë PDK-së postin e Kryeparlamentarit në këmbim të votës për Presidentin, e quajti një tregti të hapur. Hamza u shpreh se institucionet janë të konstituuara dhe nuk mund të bëhen pjesë e shkëmbimeve “mall me mall”.

“Nuk është serioze. Vendi nuk është duke shkuar në zgjedhje për kryetar Kuvendi. Kuvendi ka kryetaren, Kuvendi është i konstituuar. Nuk jemi shku me pas pazare politike dhe këmbim të pozitave. Nuk është në atë formën e këmbimit mall me mall, merre këtë, po ta jepi këtë. Ose ama postin e nënkryetarit po ta jepi postin e kryetarit. Nuk është serioze, e as kushtetuese”, deklaroi Hamza.

PDK e bëri të qartë se kontributi i tyre në këtë proces ka mbaruar, duke akuzuar pushtetin për mungesë serioziteti. Në njoftimin e tyre theksohet se: “PDK ka dëshmuar gatishmëri të plotë për të kontribuar në zgjedhjen e Presidentit të ri… Megjithatë, mungesa e vullnetit politik dhe seriozitetit institucional nga ana e pushtetit aktual po e pamundëson përsëri zgjedhjen”.

Përveç krizës politike, PDK-ja ka ngritur zërin edhe për situatën e rënduar ekonomike, duke kërkuar masa urgjente për koston e lartë të jetesës që po i rëndon qytetarët. Ata gjithashtu kërkuan drejtësi për liderët e UÇK-së në Hagë dhe njoftuan se zgjedhjet e tyre të brendshme do të mbahen në vitin 2026 për të krijuar një alternativë të re.

Në fund, Hamza theksoi se PDK-ja ka synuar gjithmonë uljen e tensioneve dhe një program pa fyerje, por mangësitë e qeverisë Kurti nuk mund të mbulohen me oferta postesh.

Me të dyja partitë që i kanë mbyllur dyert, situata tashmë mbetet te Kurti, i cili mbetet të shihet nëse do të gjejë një rrugëdalje para se vendi të shkojë sërish në kutitë e votimit./gazetametro.net

PDK për Presidentin: E konsiderojmë të përmbyllur kontributin tonë, fajin e ka pushteti

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë