Kryeministri i Kosovës në ikje, Albin Kurti, ka marrë pjesë në hapjen e konferencës ndërkombëtare “Future Industry Minds 2026”, e cila po mbahet në Schloss Bensberg të Gjermanisë, shkruan Gazeta Metro.
Në këtë edicion, Kosova po merr pjesë si Shtet Partner, ndërsa në konferencë po marrin pjesë edhe përfaqësues të institucioneve dhe kompanive kosovare nga sektorë të ndryshëm.
Gjatë fjalës së tij, Kurti foli për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë, duke shprehur mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme gjermane ndaj Kosovës ndër vite, e sidomos gjatë kohës së luftës 1998-1999.
Ai përmendi edhe rolin e diasporës kosovare në Gjermani, duke theksuar integrimin dhe suksesin e saj.
“Në Gjermani jetojnë rreth 600 mijë pjesëtarë të mërgatës nga Kosova, të cilët janë mirë të integruar dhe të suksesshëm, përfshirë doktorë, inxhinierë, ndërmarrës, punëtorë të aftë e të zellshëm”, tha Kurti.
Kryeministri në ikje foli edhe për potencialin e të rinjve në Kosovë dhe fuqinë punëtore në vend.
“Duke qenë një nga vendet me popullsinë më të re në Evropë, me moshë mesatare rreth 34 vjeç dhe me shumicën e të rinjve që flasin së paku një gjuhë të huaj, Kosova ka një potencial të madh të fuqisë punëtore”, deklaroi ai.
Sipas Kurtit, shumë të rinj kosovarë janë bilingualë dhe kanë përvojë studimi apo pune në Gjermani.
“Dekada të migrimit kanë krijuar një gjeneratë të kosovarëve që janë rritur si bilingualë, që flasin shqip dhe gjermanisht, të cilët kanë studiuar në Gjermani, janë trajnuar në Gjermani dhe në shumë raste kanë punuar në Gjermani para se të kthehen në shtëpi”, u shpreh ai.
Ai shtoi se Kosova ka një nga mbulueshmëritë më të mira me internet në Evropë, gjë që sipas tij e ndihmon zhvillimin e sektorit të teknologjisë dhe shërbimeve.
“Kur ekipi juaj në Prishtinë bashkohet në një video-lidhje me selinë qendrore në Köln ose Frankfurt, nuk ka nevojë për përkthyes. Krejt çfarë duhet është interneti i mirë”, tha Kurti.
Në aspektin ekonomik, Kurti deklaroi se qarkullimi tregtar mes Kosovës dhe Gjermanisë ka arritur në 1.8 miliardë euro, ndërsa investimet gjermane në Kosovë kapin shifrën prej 1.5 miliardë eurosh.
Duke folur për kompanitë kosovare pjesëmarrëse në konferencë, ai tha se ato tashmë kanë dëshmuar kapacitetet e tyre në tregun ndërkombëtar.
“Ato kanë përmbushur afatet evropiane, kanë punuar me standardet e cilësisë evropiane dhe në shumë raste kanë ndërtuar ekipe që komunikojnë rrjedhshëm në gjermanisht. Ato nuk janë në fillim të rrugëtimit të tyre”, tha Kurti./gazetametro.net