Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, tanimë e ka bërë pothuajse ‘’zakon’’ të kundërshtojë vendimet e propozimet që po vinë nga SHBA’të dhe BE. Madje prej kur ka ardhur në pushtet këto refuzime kanë qenë në numër të konsiderueshëm, shkruan Gazeta Metro.
Kurti, së fundmi refuzoi propozimin e shteteve të QUINT për mbajtjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë, derisa nuk mungoj reagimi as nga BE, që tha se ‘’Prishtina po sillet në kundërshtim me të ardhmen evropiane’’.
Këtë e tha vetë zëdhënësi i BE’së, Peter Stano.
Kurti e refuzoi marrëveshjen e Washington, madje e tha me mburrje para Parlamentit Europian.
“Nuk kam parë asnjëherë në jetën time një faqe e gjysmë zotime. Sikur të ndodhte që gjatë shkrimit të tyre dikush të thotë mos keni harruar edhe atë ose atë tjetrën. Nuk besoj që është menduar të implementohet, duhet ta shohim sidoqoftë si diçka pozitive”, tha Kurti para Parlamentit Europian.
Anipse ishte zëdhënësi i Departamentit të Shtetit të SHBA’ve, Ned Price që tha se Kosova dhe Serbia duhet të zbatojnë Marrëveshjen e Washington’it, e cili është nënshkruar në shtator të vitit 2020, e për të cilën, presidenti i SHBA’ve, Joe Biden, ka thënë se e mbështetë plotësisht.
Për Lëvizjen Vetëvendosje dhe lideri i saj, Albin Kurti, kjo marrëveshje ishte e papranueshme, sidomos pika 7 e marrëveshjes, ku Kosova dhe Serbia pajtohen të punojnë me Departamentin amerikan të Energjisë, me qëllim të përdorimit të përbashkët të Liqenit të Ujmanit.
Kurti e refuzoi edhe gazpërçuesin amerikan
Metro pati mësuar se Qeveria e Kosovës pati njoftuar qeverinë amerikane se po e refuzon përfundimisht projektin investiv që do ta lidhte Kosovën me gazpërçues. Administrata Biden ka ndarë edhe zyrtarisht 200 milionë dollarë grant pa kthim për këtë investim.
Ministrja e Ekonomisë Artane Rizvanolli, në një konferencë për shtyp, pati deklaruar se vendimi final nuk është marrë.
Përveç SHBA’së, Kurtit nuk i bëjnë përshtypje as çfarë BE kërkon që Kosova të plotësoj, e që ka ndikim në integrimin e saj evropian dhe një sërë çështjesh të rëndësishme.
Hiç më larg se sot u kuptua se Kurti ka refuzuar kategorikisht propozimin e BE’së për mbajtjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë.
Zëdhënësi i BE’së Peter Stano tha: “BE-ja ka vepruar si lehtësues, Përfaqësuesi i Lartë ishte i angazhuar në kontakte për të gjetur marrëveshje për zgjidhje praktike që do t’u mundësonte qytetarëve me dyshtetësi të marrin pjesë në zgjedhje. ‘Kemi bërë përpjekje të gjejmë zgjidhje praktike duke përdorur analogjitë që ishin vendosur në votime në të kaluarën”, ka thënë zëdhënësi i BE-së duke pohuar se Serbia ka luajtur rol konstruktiv e Kosova ka refuzuar.’’
E si duket Kosova po mbetet e vetme, derisa aleatët e saj po refuzohen nga krerët e shtetit. Opozita ka kritikuar vazhdimisht këto vendime të Kurtit të cilat mbase dikur do ‘’i kushtojnë’’ shtetit dhe të ardhmes e integrimit në organizata ndërkombëtare./gazetametro.net