Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, dhe ai i Lidhjes Demokratike, Lumir Abdixhiku, duket se nuk do të dorëzohen në kërkim të një ujdie, ndonëse 6 deputetë të LDK-së deklaruan se nuk do ta votojnë Bekim Sejdiun kandidat për President, shkruan Gazeta Metro.
Albin Kurti të mërkurën sërish deklaroi se takimet me Abdixhikun do të vazhdojnë, por që nuk tregoi se kur do të takohen, duke e konsideruar ‘valide’ ende marrëveshjen që s’po begeniset nga disa të LDK’së.
“Por, natyrisht, siç kam thënë mbrëmë, do të zhvillojmë edhe takime dhe mbledhje. Për neve marrëveshja politike është valide”, tha Kurti të mërkurën.
Po në mëngjes, me një shkrim të gjatë doli edhe i pari i LDK-së, që aspak s’u tregua pishman, dhe ende shumë i nxehtë për ujdinë me Kurtin.
Madje gishtin drejtoi nga të vetët, ku akuzoi 6 deputetët që kundërshtuan atë për dërgim të vendit në zgjedhje.
“Por siç ju kam thënë në vitin 2020, kur u verbuat dhe sollët LDK-në në 12%; po ju them dhe tani, ky veprim është dëm vetëm ndaj LDK-së. Se si nuk e shihni këtë, se si nuk ndjeni këtë fat, se si ndiheni të përmbushur nga lëvdatat e atyre që gjithë jetën janë anti-LDK, këtë nuk e kuptoj! Zgjedhjet e reja nuk kanë qenë agjendë e LDK-së. Nuk kanë qenë as kërkesë dhe as vendim i anëtarësisë sonë. Por tash e sa muaj, ato kanë qenë agjendë e qartë e grupeve të tjera politike, të cilat, siç duket, tashmë po ndikojnë edhe në rrjedhat tona me sukses. Për këtë ndiej vetëm keqardhje! Por jo dorëzim. Jemi shumë. Jemi në të drejtë. E kemi detyrim. Republika megjithatë do të triumfojë!”, ka shkruar ai.
Të hënën, Abdixhiku e Kurti treguan se janë marrë vesh që Bekim Sejdiu të jetë i propozuari i tyre për president të vendit, por që këtë e bënë pa u marrë vesh më herët me grupin parlamentar. E për t’u marrë vesh, një takim u mbajt të martën, por që Avdullah Hoti, Hykmete Bajrami, Arben Gashi, Armend Zemaj, Janina Ymeri dhe Kujtim Shala dolën kundër votimit të Bekim Sejdiut për president.
Menjëherë pas kësaj kanë filluar edhe sulmet ndaj këtyre deputetëve nga akterë të VV-së, të cilët 6-shen e LDK-së po e fajësojnë për dërgimin e vendit në zgjedhje.
Se a do të shkojë vendi në zgjedhje të reja nuk dihet akoma, meqë aktualisht Kuvendi është akoma i pakonstituuar e as nuk është bërë formimi i qeverisë, ndonëse për formimin e këtyre të dyjave Albin Kurti i ka numrat e nevojshëm.
LVV-ja fitoi 53 mandate në zgjedhjet e qershorit dhe, së bashku me deputetët e komuniteteve joshumicë, ka të paktën 61 vota, të mjaftueshme për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë së re.
Për zgjedhjen e presidentit, megjithatë, kërkohet prania e të paktën 80 deputetëve në sallën e Kuvendit, i cili ka gjithsej 120 ulëse./gazetametro.net