Loading…

‘Kurti beson se rritja e presionit ndaj BE’së mund të çojë në rezultat’

  • 19/08/2022 | 17:47

‘Kurti beson se rritja e presionit ndaj BE’së mund të çojë në rezultat’

Liderët e Kosovës dhe Serbisë mund të jenë duke kontribuar në rritjen e tensioneve, për të shtyrë përpara arritjen e një marrëveshjeje finale mes dy shteteve.
Kështu mendon, Damir Marushiq, bashkëpunëtor i lartë i Qendrës Evropiane të Këshillit Atlantik nga Uashingtoni.


Marushiq ka komentuar në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, bisedimet në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë më 18 gusht, që nuk prodhuan rezultat. Ai tha se nuk ka shpresa që së shpejti do të arrihet një marrëveshje finale.

Sipas tij, diplomacia që inkurajon tensione, është një lojë e rrezikshme në një situatë me tensione në veri të Kosovës.

Disa ditë para se të zbatohen vendimet e Qeverisë së Kosovës për targat dhe dokumentet serbe, Mashuriq nuk pret ndonjë konflikt të zgjeruar, por thotë se nuk përjashtohen skenarët e dhunshëm.

Radio Evropa e Lirë: Liderët e Kosovës dhe Serbisë kanë përfunduar një rund të bisedimeve më 18 gusht. Bisedimet kanë qenë pa rezultat. Çfarë mendoni se do të thotë kjo për progresin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë?

Damir Marushiq: Në njërën anë, me të vërtetë duket se jemi në një ngërç serioz, ku është vështirë të shihet kur do të arrihet rezultat. Por në të njëjtën kohë, ka të bëjë me diplomacinë. Unë mendoj që (kryeministri i Kosovës) Albin Kurti është duke shtyrë këtë linjë, që në parim duhet të theksohen kundërshtimet, para se të arrihet ndonjë rezultat. Roli i diplomacisë është të merren situata të tilla dhe të jenë kreativë me to. Patjetër, ajo çfarë është e nevojshme për këtë është një vullnet i mirë, nga të dyja anët, dhe nuk e kemi parë këtë.

Megjithatë, një nga gjërat e rëndësishme këtu është që lehtësuesit e dialogut, Bashkimi Evropian, dhe partnerët perëndimorë në përgjithësi, të luajnë po ashtu një rol proaktiv dhe kreativ për të arritur një zgjidhje për këtë situatë. Rreziku është i lartë, ky dialog është shumë i rëndësishëm për të arritur çfarëdo zgjidhje të qëndrueshme për çështjet mes Kosovës dhe Serbisë. Nuk mund të them se kam shpresa [ për zgjidhje], por mund të them se nuk jam edhe i pashpresë në këtë pikë.

“Nuk pati shumë përgatitje për dialog”

Radio Evropa e Lirë: Më 18 gusht, kemi parë se lehtësuesit e dialogut hynë me shpresa në bisedime, por palët pas përfundimit të bisedimeve hezitonin edhe të flisnin. A mendoni se ka pasur përgatitje të mjaftueshme për bisedimet, a është edhe kjo ndonjë lojë diplomatike para 1 shtatorit?

Damir Marushiq: Në fakt jam i zhgënjyer që nuk ka pasur më shumë përgatitje. Më duket se duke hyrë në bisedime, pozicionet publike të të dyja anëve kanë qenë mjaft jofleksibile, që tregonin se ishim në drejtim të rezultatit që morëm. Por, prapëseprapë, nganjëherë magjia ndodh në dhomë.

Ndoshta kjo ishte shpresa, se nëse i vendosin ata (kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiqin) në një dhomë, duke pasur parasysh tensionet e rritura dhe afrimin e datës për hyrjen në fuqi të masave reciproke, kjo do të koncentronte mendjet në dhomë, dhe do të arrihej një rezultat. Është e rëndësishme të rikujtohet se derisa prapavija për këtë takim ishte kriza e fundit, sa e di unë, ky takim ishte caktuar për më herët, por pastaj Serbia kishte kërkuar shtyrjen e tij.

Dhe në një mënyrë, ky ishte një dialog i planifikuar dhe nga çfarë kam lexuar, Kurti e ka trajtuar si të tillë. Ai dëshironte të bisedonte për çështjet siç ishin planifikuar për t’u biseduar me krizën vetëm në prapavijë. Unë besoj që kjo është një taktikë negociuese nga ana e Kosovës. Nëse do të jetë e suksseshme nuk e di. Pyetja mbetet si gjithmonë, nëse ka ndonjë hapësirë mes Kurtit dhe Vuçiqit që mund të përdoret për një zgjidhje kreative.

Radio Evropa e Lirë: Folët për atë që mendoni se ishte strategjia e Kosovës. Çfarë mendoni për anën e Serbisë, a kanë përdorur ata një strategji?

Damir Marushiq: Më duhet të them, po flasim disa ditë para se Vuçiqi t’iu drejtohet serbëve nga veriu i Kosovës. Ai do të ketë një bisedë me anëtarë të Listës Serbe këtë fundjavë. Besoj se do të kuptojmë saktësisht çfarë ishte strategjia e Serbisë. Kam parë spekulime në mediat serbe se Vuçiqi, në një anë po përgatitet që t’iu thotë serbëve që situata është e vështirë dhe ndonjë kompromis duhet të bëhet, por, në të njëjtën kohë mund të shohim një fjalim që është pa kompromis.

Në këtë rast, strategjia e të dyja anëve do të jetë për të rritur tensionet në një nivel tjetër dhe më pas t’i angazhojnë evropianët në Perëndim, për ta detyruar palën tjetër për një kompromis. Është një lojë e rrezikshme. Është një lojë e njohur për të gjithë në Ballkan. Është mënyra sesi kryesisht bëhet diplomacia në këtë pjesë të botës. Përderisa është e rëndësishme të kujtohet se është një strategji racionale, është një strategji me rrezik, sepse kalkulimet mund të gabohen dhe liderët nuk mund të kontrollojnë çfarë ndodh në terren. Shpresat janë që të dyja anët do të jenë të kujdesshme në dy javët e ardhshme.

“Nuk frikësohem se mund të ketë konflikt më të gjerë”

Radio Evropa e Lirë: Po afrohet 1 shtatori. Çfarë mendoni se janë skenarët e mundshëm për këtë ditë dhe ditët në vazhdim?

Damir Marushiq: Imagjinata ime është shumë e bllokuar në atë se çfarë mund të ndodhë. Mund të kemi një përsëritje të vendosjes së barrikadave në veri. Nëse shkon në atë formë, do të shohim anën e Serbisë që thotë se ky është një reagim lokal dhe i pakontrollueshëm ndaj ndjenjës së kërcënimit që e kanë serbët lokalë. Shumë nga raportimet që kam parë megjithatë thonë se Serbia ishte shumë e përfshirë në kordinimin e krizës së kaluar, kshtu që kredibiliteti i një deklarate të tillë vihet në pikëpyetje.

Problemi është se nëse ka bllokada dhe barrikada, problemi për Perëndimin do të jetë si të kthehet rendi, veçanërisht nëse vetë Serbia nuk intervenon. Kjo pastaj bëhet një lojë e pritjes, dhe nëse kokat e ftohta dominojnë në Kosovë, do të ketë një proces të gjatë negociimi në ditët pas 1 shtatorit. Ndoshta ngadalë do të kthehet në një situatë të “normalitetit në tension”.

Më duhet të them se nuk e di se si do të jetë modaliteti i krizës, nëse masat reciproke do të mund të zbatohen. Dyshoj nëse do të mund ta bëjnë në kufi, dhe vetëm do të dëgjoni shumë retorikë. Gjithashtu, shpresoj se jo, por mund të ketë edhe dhunë në shkallë të vogël. Nuk mund ta imagjinoj se do të shkoj më larg se kaq. Por siç thashë më parë, ky është problemi me diplomacinë e rrezikshme që praktikohet në Ballkan, është shumë e paparashikueshme, dhe është shumë e vështirë të kontrollohen akterët në terren.

Radio Evropa e Lirë: Çfarë mund të nënkuptojnë tensionet e mundshme për shtetet e përfshira dhe për rajonin e Ballkanit. A mendoni se mund të ketë konflikt?

Damir Marushiq: Unë nuk frikësohem se mund të ketë një konflikt më të gjerë. Mendoj se mund të jetë një situatë e tensionuar që do të zgjasë me javë, që pas një kohe do të çojë në negociata të mëtutjeshme. Mund të ketë dhunë, mund të ketë të shtëna, ndoshta edhe vdekje.

Unë besoj se (misioni i NATO-s në Kosovë) KFOR-i është gati nëse do të ketë eskalim, për të qetësuar situatën. Kjo është në radarin e Uashingtonit. Mendoj se konflikti më i gjerë nuk ka gjasa të ndodhë. Është një situatë shumë e vështirë ndërkombëtare në këtë pikë. Nuk është i mirëpritur në Perëndim fakti se duhet të merren edhe me një konflikt, derisa po ndodh lufta në Ukrainë.

“Evropianët janë të fokusuar në stabilizim të krizës”

Radio Evropa e Lirë: A mendoni se momentumi në Evropë është i favorshëm për të arritur një marrëveshje finale mes Kosovës dhe Serbisë, duke pasur në mendje edhe luftën në Ukrainë?

Damir Marushiq: Mendoj se logjika e Kurtit është se duke insistuar dhe duke theksuar kundërthëniet në dialog, do t’i shtyjë evropianët të jenë më proaktivë dhe t’i bëjnë presion Serbisë të pajtohet. Çfarë po shoh deri më tani megjithatë, evropianët specifikisht nuk janë të angazhuar aktivisht në këtë. Janë më të interesuar vetëm për stabilizimin e situatës.

Prandaj, derisa mendoj se Kurti ka të drejtë që mendon se është në interesin e evropianëve që të jenë më proaktivë dhe të provojnë ta zgjidhin këtë çështje njëherë e përgjithmonë, nuk mendoj se janë aty ende. Më duket mua se mentaliteti është që vetëm[problemet] të largohen, sesa të punohet në drejtim të një zgjidhjeje të qëndrueshme. Sigurisht që ekziston qëllimi që të arrihet një zgjidhje e qëndrueshme, por nuk po shoh ende prova për mendime të reja se si të arrihet aty.

“Nuk shoh rrugë të shpejtë për zgjidhjen e krizës”

Radio Evropa e Lirë: Kryeministri Kurti ka thënë në vazhdimësi se nuk është i interesuar të dialogojë për hir të dialogut, por për të arritur një marrëveshje përfundimtare. Ai beson se marrëveshja do të ndodhë brenda mandatit të tij. A mendoni se është qasje realiste?

Damir Marushiq: Është definitivisht pozita e tij negociuese. E kam takuar Kurtin dy herë. Unë besoj se është një burrë që në përgjithësi thotë atë që beson. Ndryshe nga ajo kur shpesh na duhet të gjejmë se çfarë është pozita negociuese e dikujt, mendoj se me Kurtin, ai beson se rritja e presionit mund të çojë në ndonjë rezultat, ose ndonjë presion i shtuar ndaj Serbisë, për të arritur te një marrëveshje finale. Ai është i vendosur ta bëjë këtë. Por nuk shoh ndonjë rrugë të shpejtë për zgjidhjen e krizës, ashtu siç janë gjërat momentalisht.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë