Loading…

Kur përçarja bëhet armë: Lufta e padukshme kundër Kosovës

  • Nga

  • BESA KABASHI-RAMAJ

  • 26/08/2026 | 12:04

Kur përçarja bëhet armë: Lufta e padukshme kundër Kosovës

Për vite me radhë kam argumentuar, në punën time profesionale, akademike dhe publike, një gjë që sot duhet ta kuptojmë me shumë më tepër seriozitet: radikalizimi islamik në Kosovë nuk ishte fenomen organik i shoqërisë sonë.


Shkruan: Besa Kabashi-Ramaj

Nuk lindi natyrshëm nga identiteti kosovar. Nuk ishte produkt i traditës sonë. Ai u ushqye nga jashtë, përmes ideologjive, financimeve dhe ndikimeve të huaja që gjetën hapësirë në dobësitë e një shteti dhe një shoqërie të re.

Ajo që po del sot nga aktakuza ndaj Shehollit i jep këtij diskutimi një dimension shumë më serioz të sigurisë kombëtare. Sipas materialeve që Prokuroria Speciale pretendon se janë gjetur në telefonin e të akuzuarit, një dokument i emërtuar “Top Secret 2” përshkruan një skenar që synonte zgjerimin e radikalizimit islamik, përçarjen e shqiptarëve, krijimin e tensioneve me diasporën dhe, përfundimisht, transformimin e perceptimit ndërkombëtar për Kosovën deri në atë pikë sa ajo të shihej si një lloj “Kandahari”.

Nëse autenticiteti dhe origjina e këtyre materialeve konfirmohen përfundimisht nga institucionet kompetente, atëherë përballë nesh nuk kemi thjesht historinë e një personi të akuzuar për spiunazh. Kemi një rast potencial të luftës hibride kundër Republikës së Kosovës.

Dhe pikërisht këtu duhet ta ndryshojmë mënyrën se si e lexojmë sigurinë tonë kombëtare. Armiku nuk ka gjithmonë nevojë të krijojë dobësitë tona. Mjafton t’i shfrytëzojë ato.

Në inteligjencë dhe luftë hibride, një kundërshtar kërkon vulnerabilitetet e një shoqërie: ndarjet politike, konfliktet identitare, mosbesimin ndaj institucioneve, pakënaqësitë sociale, ekstremizmin dhe grupet që mund të manipulohen. Pastaj i amplifikon.

Prandaj kam argumentuar vazhdimisht se përçarja shoqërore është vulnerabilitet i sigurisë kombëtare. Sa më e polarizuar të jetë një shoqëri, aq më e penetrueshme bëhet. Sa më shumë qytetarët humbin besimin në institucionet e tyre, aq më shumë hapësirë fitojnë propaganda dhe operacionet e ndikimit. Sa më shumë normalizohet ekstremizmi politik, aq më lehtë një akter armiqësor mund ta shtyjë një shoqëri drejt greminës.

Dhe pikërisht për këtë arsye ajo që ka ndodhur politikisht në Kosovë gjatë viteve të fundit nuk mund të trajtohet më vetëm si debat partiak. Vetëvendosje e ndërtoi një pjesë të rëndësishme të ngritjes së saj politike mbi ndarjen e shoqërisë në “ne” dhe “ata”, mbi delegjitimimin e kundërshtarit, mosbesimin ndaj institucioneve dhe një histori të ekstremizmit e dhunës politike. Ky model mund të sjellë vota. Por për një shtet të vogël, të ekspozuar ndaj aktiviteteve armiqësore të inteligjencës dhe luftës hibride, çmimi i tij mund të jetë shumë më i madh se rezultati i një palë zgjedhjeve. Sepse kur politika e brendshme krijon përçarje të thella shoqërore, shërbimet e huaja nuk kanë më nevojë ta krijojnë terrenin operacional, atë e gjejnë të krijuar vetë. Ato vetëm duhet ta shfrytëzojnë.

Radikalizimi është instrument. Objektivi është shteti.

Për shumë vite e kemi trajtuar radikalizimin kryesisht si problem fetar ose si çështje të terrorizmit. Kjo është pikëpamje tepër e ngushtë. Radikalizimi mund të jetë fetar. Mund të jetë politik. Mund të ndërtohet mbi nacionalizëm, identitet, pakënaqësi sociale apo urrejtje ndaj institucioneve.

Nga perspektiva e një shërbimi armiqësor, ideologjia është shpesh më pak e rëndësishme sesa rezultati. Nëse një narrativë e ndan shoqërinë, ajo është e dobishme. Nëse një ideologji dobëson orientimin perëndimor të Kosovës, ajo është e dobishme. Nëse ekstremizmi e bën Kosovën të duket jostabile, fundamentaliste apo e paaftë për të funksionuar si shtet demokratik evropian, ai mund të shndërrohet në instrument strategjik kundër nesh. Kjo është arsyeja pse pretendimi se ekzistonte një skenar që Kosova gradualisht të paraqitej si “Kandahar” duhet të trajtohet me seriozitet të jashtëzakonshëm. Objektivi përfundimtar nuk do të ishte feja. Objektivi do të ishte Kosova. Orientimi i saj perëndimor. Marrëdhënia e saj me aleatët. Kredibiliteti i saj ndërkombëtar. Dhe, në fund, vetë qëndrueshmëria e shtetit.

Dokumenti “Leptiri” hap një çështje tjetër serioze

Në të njëjtën dosje është raportuar edhe për një dokument të quajtur “Leptiri”, i cili, sipas Prokurorisë, përshkruan një operacion të strukturave të atëhershme serbe të sigurisë për komprometimin dhe rekrutimin e Albin Kurtit gjatë kohës së burgimit të tij në Serbi. Duhet të jemi jashtëzakonisht precizë këtu. Ekzistenca e një plani për rekrutim nuk është provë se rekrutimi ka ndodhur. Por ekzistenca e raportuar e një operacioni të tillë është, në vetvete, çështje serioze e kundërzbulimit dhe meriton trajtim institucional, profesional dhe të depolitizuar. Sepse kundërzbulimi nuk funksionon mbi simpati apo antipati politike. Pyetjet e sigurisë kombëtare nuk zhduken sepse personi për të cilin bëhet fjalë është kryeministër, lider opozitar apo qytetar i zakonshëm. Institucionet duhet të përcaktojnë faktet. As më shumë. As më pak.

Kosova duhet të fillojë t’i lidhë pikat

Këtu qëndron çështja më e madhe. Radikalizimi fetar, plarizimi politik, dezinformimi, delegjitimimi i institucioneve, operacionet e ndikimit, penetrimi i inteligjencës së huaj, përpjekjet për ta dëmtuar marrëdhënien e Kosovës me Perëndimin nuk duhet t’i analizojmë më si fenomene të izoluara.

Në sigurinë moderne, ato mund të jenë pjesë të së njëjtës hapësirë kërcënimi. Për këtë arsye kam insistuar prej vitesh se siguria kombëtare nuk matet vetëm me numrin e ushtarëve, armëve apo policëve që ka një shtet. Ajo matet edhe me reziliencën e shoqërisë së tij. Me besimin e qytetarëve në institucione. Me kohezionin shoqëror. Me aftësinë për të identifikuar propagandën. Me rezistencën ndaj radikalizimit. Me kapacitetin e institucioneve të inteligjencës dhe sigurisë për të identifikuar penetrimin dhe operacionet e ndikimit përpara se ato të prodhojnë efekt strategjik. Dhe mbi të gjitha, me aftësinë e politikës për të kuptuar se kundërshtari politik nuk është armiku. Sepse kur ne fillojmë ta trajtojmë njëri-tjetrin si armiq, armiqtë e vërtetë të Kosovës fitojnë terren pa pasur nevojë të luftojnë për të.

Ky duhet të jetë moment zgjimi

Aktakuza ndaj Shehollit duhet të hetohet dhe gjykohet nga institucionet kompetente. Por informacionet që janë bërë publike nuk duhet të kalojnë si një tjetër cikël lajmesh. Ato duhet të nxisin një vlerësim serioz institucional të operacioneve të ndikimit të Serbisë në Kosovë, të financimit dhe instrumentalizimit historik të radikalizimit, të penetrimit të mundshëm në politikë e shoqëri dhe të vulnerabiliteteve që polarizimi ynë i brendshëm ka krijuar.

Kosova ka paguar çmim shumë të lartë për lirinë e saj për të qenë naive për mënyrën se si mund të sulmohet sot.

Luftërat moderne nuk zhvillohen vetëm me tanke. Ato zhvillohen përmes informacionit, identitetit, perceptimit, polarizimit, agjenturës dhe dobësive të një shoqërie.

Prej vitesh kam paralajmëruar se radikalizimi islamik në Kosovë nuk ishte fenomen organik dhe se përçarjet e brendshme krijojnë terrenin ideal për ndërhyrje, manipulim dhe operacione të inteligjencës së huaj. Sot, ajo për të cilën kemi paralajmëruar nuk është më vetëm teori e sigurisë kombëtare. Po shfaqet para nesh në pretendimet dhe dokumentet që institucionet e drejtësisë po nxjerrin në dritë.

Prandaj detyra jonë sot është shumë më e madhe se zbardhja e një rasti individual. Duhet t’i kuptojmë deri në fund mekanizmat përmes të cilëve është synuar të radikalizohet, përçahet, manipulohet dhe dobësohet Kosova dhe të mbyllim çdo hapësirë që mund të përdoret përsëri kundër saj.

Mbrojtja e Kosovës nuk përfundon me mbrojtjen e kufijve të saj. Ajo kërkon mbrojtjen e institucioneve, kohezionit shoqëror, orientimit tonë perëndimor dhe të ardhmes së vendit nga çdo përpjekje për ta dëmtuar atë, qoftë ajo që vjen nga jashtë, apo ajo që i hap rrugë nga brenda.

Kjo është përgjegjësi shtetërore. Dhe mbi të gjitha, është detyrë ndaj Kosovës që kemi ndërtuar me aq shumë sakrificë dhe ndaj brezave të cilëve duhet t’ua lëmë më të fortë se sa e trashëguam.

Për këtë kam paralajmëruar prej vitesh: që nga shkrimet e mia për përçarjet shoqërore si kërcënim për sigurinë kombëtare, e deri te analiza ime e vitit të kaluar mbi radikalizimin në Kosovë, kam argumentuar se dobësitë e brendshme të një shoqërie janë terreni mbi të cilin veprojnë më lehtë ndikimet dhe inteligjenca armiqësore.

Për më shumë: përçarjet shoqërore si kërcënim për sigurinë kombëtare dhe analiza ime e vitit të kaluar mbi radikalizimin në Kosovë.

Për autoren: 

Besa Kabashi-Ramaj është eksperte e sigurisë kombëtare dhe deputete e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Mban gradën Master of Public and International Affairs (MPIA) në Security and Intelligence Studies nga University of Pittsburgh, ka përfunduar studimet universitare në Shkenca Politike dhe Komunikim Masiv në Ouachita Baptist University, si dhe Programin Ekzekutiv në Harvard Kennedy School.

Ka shërbyer si Këshilltare për Siguri Kombëtare e Kryeministrit dhe Koordinatore Kombëtare për Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm, anëtare e Këshillit të Sigurisë së Kosovës dhe përfaqësuese e Kosovës në Bordin e Global Community Engagement and Resilience Fund (GCERF). Është Marshall Center Scholar, me studime të specializuara në siguri shoqërore, radikalizim dhe parandalim e kundërshtim të ekstremizmit të dhunshëm në George C. Marshall European Center for Security Studies.

Prej më shumë se një dekade, puna dhe publikimet e saj trajtojnë radikalizimin, terrorizmin, sigurinë njerëzore e shoqërore, inteligjencën, reziliencën kombëtare dhe kërcënimet hibride, me fokus të veçantë në mënyrën se si akterët e jashtëm shfrytëzojnë përçarjet shoqërore dhe dobësitë institucionale për të cenuar sigurinë kombëtare.

Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë