Loading…

Kur Lumir Abdixhiku godiste kundërshtarët e LDK’së, nën pektun e analistit të pavarur

  • 18/05/2017 | 23:41

Kur Lumir Abdixhiku godiste kundërshtarët e LDK’së, nën pektun e analistit të pavarur

Lumir Abdixhku që sot iu bashkëngjit Lidhjes Demokratike të Kosovës duke u bërë politikan, në cilësinë e analistit të pavarur njihej si kundërshtues i fortë i Partisë Demokratike të Kosovës.


Kadri Veselin e quante “njeri të nëntokës”, Ramush Haradinajn njeri të paaftë dhe jo të guximshëm e njerëzit e PDK-së hipokrita.

Në një intervistë për TV Dukagjini, në tetor të vitit 2016 Lumir Abdixhiku, kishte thënë se Partia Demokratike e Kosovës dhe Lëvizjen Vetëvendosje, paraqesin anë të kundërta, por që në thelb janë njësoj të dëmshme për Kosovën.

“Metodat që po përdor Vetëvendosje për të marrë pushtetin janë të ngjashme me ato që përdorte PDK në periudhën e pasluftës”, ka thënë Abdixhiku.

I pyetur se cila është e keqja më e vogël në mes PDK-së dhe VV-së, Abdixhiku ishte përgjigjur: Refuzoj të zgjedh mes klanit Pronto dhe atyre që provojnë me çdo mënyrë rrënimin e shtetit, nuk mund të përkrahesh vetëm se kundërshton kapjen e shtetit.

Disa ditë para se ta zyrtarizonte aderimin në LDK, në cilësinë e analistit të pavarur me një kolumne në Koha Ditore kishte shkruar se “fillimi i ri” me kapësit e vjetër, tash është krejt i frikshëm.

“Sepse fronti i SHIK-ut do të mbijetojë. Do të mbijetojë për aq sa ka njerëz pa ideal e pa bindje që i bashkohen të njëjtit për pak privilegj. Të tillë do të ketë përherë. Do të mbijetojë deri sa ka mekanizma mirë te themeluara të propagandës, fuqisë financiare e kërcënimit. Si i tillë do ta ketë jetën e gjatë”, shkruante Abdixhiku me 15 maj 2017.

E kur gazetarja Arbana Xharra kaloi në PDK ai e sulmoi ashpër. E quante pakurrizore.

“Matrapazat, hajnat, kriminelët, vrasësit, dhunuesit, kërcënuesit e kapësit e deridjeshëm – siç i quanit vet – s’janë më ndryshe sot. Sot më ndryshe jeni ju; të gjithë ju nën ta. Ju që për pak pushtet i bëni argat kapjes. Ju që bëni karrierë duke kritikuar të keqen, për t’iu bashkuar në fund të njëjtës së keqe. Të tillë s’i duheni shoqërisë këndej, keni gjetë vendin taman atje”, shkruante Abdixhiku.

Në një tjetër shkrim në rrjetin social Facebook, Abdixhiku thoshte se “Fillimi i ri”, është risi veç për Kadri Veselin. Sipas tij, kalimi nga nëntoka në mbitokë – aty këtu me argat të rinj sa për kozmetikë.

“Fillimi i ri” është risi veç për Kadrinë. Kalimi nga nëntoka në mbitokë – aty këtu me argat të rinj sa për kozmetikë. Një udhëtim i ri me zanat të vjetër po na prezantohet si shpëtim”, shkruante Abdixhiku.

Në cilësinë e analistit të pavarur, në prill të vitit 2015, vlerësonte se kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj nuk ka dëshmuar se është kundër ç’kapjes së vendit. Ai shembull e kishte marrë koalicionin AAK-PDK në Prizren. Sot AAK dhe PDK garojnë së bashku në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare.

“Kapje më të madhe se Ramadan Muja nuk ka në Kosovë. Nëse AAK është kundër kapjes le të çkapë Prizrenin”, thoshte Abdixhiku në ‘Rubikon’ të KTV-së.

Një muaj më vonë në po të njëjtin vit ai akuzonte PDK-në për kapje shteti. I quante edhe hipokritë.

“Pra, kapja sot është evidente gjithandej. Dhe kërkesat për shkapje do t’i mbështesë gjithherë. Nëse asgjë tjetër, në këto pesë vite shkrime mu në këtë kolumnë, zaptimin, kapjen e pronësimin e Kosovës e kam trajtuar në vazhdimësi. Përtej secilës bindje partiake, ajo për mua mbetet e drejtë. Shkapja sot është mision patriotik! Por në procesin e shkapjes kërkoj dhe sinqeritet. Sepse, (konsideratë për përjashtimet shumicë) kur shoh se si çzaptues të rendit të parë shpërfaqen zaptuesit më tipik, të njëjtët që deri dje kapën shtetin vet, këtë s’mund ta pranoj assesi. Hipokritë shembullorë. Nënshkrues kontratash miliardëshe e korruptive (të mosbëra transparente asnjëherë), falës të aseteve publike, tenderashë e politiko-milionerë, bashkëpartnerë me kapësit gjithandej, punësues familjarësh e militantësh në secilin vend, pra zaptuesit vetë – sot mbajnë moral për kapjen. Këta kapjen nuk e kanë hall; hall kanë se nuk janë më kapës vetë”, shkruante Abdixhiku.

Kishte akuzuar PDK-në edhe për faljen e borxheve.

Për Lumir Abdixhikun, falja e borgjeve nuk ishte problem, por në gjithë këtë amnisti fitojnë individ e biznese që kanë superpasuri; ç’ëshë e vërteta mu këtë pasuri ata e kanë ndërtuar duke neglizhuar e refuzuar secilën normë të trajtimit fer – e që për të tjerët, të zakonshmit pra, ishte megjithatë ligj.

“Nuk kam aspak problem me faljen e borxheve të parapavarësisë. Le të jetë një lehtësim për familjet kosovare që në këtë ambient ngufatës mezi mbijetojnë; dhuratë e duhur kjo. Problem kam se në gjithë këtë amnisti fitojnë individ e biznese që kanë superpasuri; ç’ëshë e vërteta mu këtë pasuri ata e kanë ndërtuar duke neglizhuar e refuzuar secilën normë të trajtimit fer – e që për të tjerët, të zakonshmit pra, ishte megjithatë ligj”, shkruante ai./Insajderi.com

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë