Ne si popull kemi një aftësi të çuditshme: tronditemi nga ajo që sot na paraqitet si skandal, por rrallë pyesim se si ishte e mundur që i njëjti skandal të zhvillohej për vite para syve tanë.
Shkruan Leonard Komani
Personi që sot është në qendër të vëmendjes mediatike nuk ishte një figurë e padukshme. Përkundrazi. Lëvizte lirshëm në Kosovë, fliste publikisht, shfaqej me arrogancën e një kapadaiu dhe ftohej në studio televizive sikur të ishte një zë krejtësisht normal i jetës publike.
Askush nuk dukej veçanërisht i shqetësuar.
Sot, papritur, dëgjojmë pretendime për lidhje me qarqe të politikës serbe, për dokumente, plane dhe veprimtari që dyshohet se kanë pasur për qëllim destabilizimin politik dhe institucional të Kosovës.
Nëse këto pretendime vërtetohen, atëherë problemi më i vogël është personi.
Problemi i vërtetë është shteti.
Sepse një shtet serioz nuk matet me aftësinë për ta arrestuar apo ekspozuar dikë pasi dëmi është bërë. Ai matet me aftësinë për ta identifikuar rrezikun para se ai të shndërrohet në kërcënim për sigurinë kombëtare.
Prandaj pyetja është e pashmangshme:
Ku ishte inteligjenca e Kosovës?
Nëse nuk e dinte se çfarë po ndodhte, kemi problem serioz me aftësinë profesionale të institucioneve të sigurisë.
Nëse e dinte dhe nuk kishte mundësi të vepronte, atëherë duhet pyetur: kush ia kishte lidhur duart?
Por nëse e dinte, kishte mundësi të vepronte dhe megjithatë nuk veproi, atëherë kemi përpara një problem shumë më të rëndë sesa paaftësia institucionale.
Kemi problem me vetë funksionimin e shtetit.
I kujt është shërbimi informativ i Kosovës?
Kujt i përgjigjet?
Kush e kontrollon?
Për kë punon?
Dhe pyetja më e rëndësishme: a e mbron ende shtetin, apo është bërë edhe ai peng i luftës së brendshme politike?
Nuk është antishtetërore t’i bësh këto pyetje. Përkundrazi. Në një republikë demokratike, të kërkosh llogari nga institucionet që kanë për detyrë ta mbrojnë shtetin është akt përgjegjësie qytetare.
Por ekziston edhe një pyetje tjetër, ndoshta edhe më interesante:
Pse tani?
Pse pikërisht tani dolën dokumentet?
Pse tani informacionet?
Pse tani detajet?
Nëse këto materiale kanë ekzistuar prej kohësh, kush vendosi që pikërisht ky ishte momenti për t’i nxjerrë në publik?
Këtu fillon politika e vërtetë.
Dhe këtu po shtroj një hipotezë, jo një akuzë:
A po blihet kohë?
Kosova ndodhet prej kohësh në një krizë të thellë institucionale. Afatet interpretohen dhe shtyhen, kompetencat politike provohen deri në kufijtë e tyre, institucionet përplasen mes vete, ndërsa qytetari bombardohen çdo ditë me një skandal të ri.
Një skandal e mbulon tjetrin.
Një krizë e zhvendos tjetrën.
Dhe ndërkohë pyetja themelore harrohet:
Kush po qeveris realisht dhe drejt cilit destinacion po shkon shteti?
Kam bindjen se beteja politike në Kosovë ka kohë që ka pushuar së qeni betejë për mirëqenien e qytetarit.
Nuk po luftohet më për ekonomi.
Nuk po luftohet për arsim.
Nuk po luftohet për shëndetësi.
Madje kam frikë se nuk po luftohet më as për sovranitet.
Po luftohet për kontroll.
Kontroll mbi institucionet.
Kontroll mbi narrativën publike.
Kontroll mbi drejtësinë.
Kontroll mbi kundërshtarin.
Dhe, në fund, kontroll mbi vetë shtetin.
Kur institucionet dobësohen, qytetarët varfërohen dhe shoqëria polarizohet deri në pikën ku çdo kritik konsiderohet armik, demokracia fillon të ekzistojë vetëm në letër.
Zgjedhjet mund të vazhdojnë.
Parlamenti mund të ekzistojë.
Qeveria mund të mbajë mbledhje.
Por pushteti real mund të përqendrohet gradualisht në gjithnjë e më pak duar.
Dhe aty fillon ajo që unë do ta quaja monarki politike pa mbret.
Një sistem ku institucionet ekzistojnë formalisht, por pushteti real centralizohet; ku qytetari voton, por gjithnjë e më pak vendos; ku kundërshtari nuk shihet më si alternativë politike, por si armik që duhet eliminuar politikisht.
Kjo bëhet veçanërisht shqetësuese kur përpara Kosovës mund të hapet një kapitull i ri politik me përfundimin eventual të proceseve ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë dhe me mundësinë e rikthimit të disa prej tyre në jetën politike.
Prandaj ngjarjet e sotme nuk duhet t’i analizojmë të izoluara.
Duhet të shohim tablonë e madhe.
Sepse ndoshta skandali që po diskutojmë sot nuk është historia kryesore.
Ndoshta historia kryesore është ajo që po ndodh ndërkohë që ne jemi duke diskutuar skandalin.
Dhe atëherë pyetja nuk është më:
Kush është tradhtari?
As:
Kush është patrioti?
Pyetja është shumë më e rëndë:
Kush po e kontrollon Republikën e Kosovës – dhe çfarë do të mbetet nga ajo kur kjo luftë për pushtet të ketë përfunduar?