Loading…

Kukësi në -16 gradë, aty ku acari e hallet mbyten me një gotë raki

  • 08/01/2017 | 08:54

Kukësi në -16 gradë, aty ku acari e hallet mbyten me një gotë raki

Era e fortë me reshje dëbore dhe temperatura që ka arritur në minus 16 gradë, nuk e ka paralizuar dot tërësisht jetën e kuksianëve. Mëngjesi i djeshëm kishte ngrirë rrugët, ndërsa lokalet e shumta të qytetit ishin të gjitha të hapura.


Sapo ora ka shënuar 08:00, të gjitha pijetoret e qytetit ishin përplot me klientë të qytetit, por edhe shumë të ardhur nga fshatrat përreth.

Si zakonisht, të rinjtë nga fshatrat janë të parët që zënë tavolinat e pijetoreve. Një zakon që tashmë të gjithë e dinë. Ata s’kanë c’bëjnë në fshat dhe zbresin në Kukës, ku qëndrojnë thuajse gjithë ditën.

Argëtimi i vetëm për ta janë klubet apo sallat e lojërave të fatit, që tashmë janë shtuar pa asnjë hesap në të gjithë qytetit, duke e sfiduar haptazi operacionin e famshëm “fundi i marrëzisë”.

Banorët e Kukësit janë mësuar me dimra të egër. Për ta, këto ditë të ftohta me minus, që kanë vënë në alarm edhe dikasteret në Tiranë, janë vetëm një dimër dhe aq. Ndaj dhe klubet janë plot. Bisedat pa mbarim. Të ngeshëm janë edhe punonjës të administratës, ku pushimi për shumë prej tyre ishte një “surprizë”.

kukes, moti dje1

Nëpër klube tani gjen kudo edhe sobat e ndezura.

“Sobat i kemi ndezur sepse jemi në arbain (kështu e quajnë kuksianët periudhën e fundit të dhjetorit deri në shkurt). Askush nuk na afrohet po të mos kemi sobën e ndezur”, thotë Hyrmeti, pronari i një bari në qytet. Besmiri është i kënaqur me fitimin e këtyre ditëve.

“Jam përgatitur që ditën e parë kur hyri arbaini më 24 dhjetor. Klientët duhet t’i tërheqim, aq më tepër që klubet janë në çdo hap tashmë”, thotë ai.

kukes, moti dje

Për banorët nuk është ndonjë mërzi ky i ftohtë me temperatura që arrijnë nën 16 gradë celsius në Kukës, apo më e larta në minus 8 gradë në mesditë.

“Epo, jemi në kulmin e ditëve të arbainit. Në këto ditë temperaturat nën zero janë të zakonshme. Çudi do të ishte sikur të kishim temperature mbi zero”, thotë me të qeshur 63-vjeçari Selman Selimi.

kukes, lokalet me kliente

Ai kujton dimra shumë më të egër, si ato të ’53, apo ‘85, kur nga ortekët humbën jetën 11 banorë të fshatit Shtiqën.

“Më parë ka pasur dimra të egër e jo tani, kur njerëzit që ditën e parë nisin të kërkojnë ndihma ushqimore. Kur ende nuk kanë mbaruar të gjithë zahiretë e Vitit të Ri. Pastaj në dimrat e kaluar izolimi vazhdonte më shumë se një muaj, madje edhe 2, apo 3 muaj. Banorët ishin të përgatitur. Zahiretë e dimrit të gjithë i kishin në maxhe. Ky ka qenë një zakon i hershëm i joni. Pse tani është harruar dhe banorët, sapo nisin reshjet e borës, kërkojnë ndihma”, vazhdon me të qeshur 63-vjeçari.

kukes, debora dje

Për xha Selmanin, vizitat nëpër rrugë të ministrave janë qesharake.

“Ministrat marrin me vete ndonjë gazetar dhe i flasin atij si është situata në ndonjë afër majë mali. Dhe me kaq ai e quan të mbaruar detyrën. Po kujt i duhet kjo? Me të vërtetë, është një punë pa asnjë bereqet kjo e ecejakeve të drejtuesve, qofshin këta edhe ministra. Sepse të gjithë flasin për situatën, po asnjë nuk na tregon pse nuk hidhet kripa nëpër rrugët me akull. Hedhja e kripës këto ditë është e domosdoshme edhe në rrugët e qytetit. Eh, ne të shkretët. Të ftohtin e akullt, apo hallet tona që i kemi me shumicë, i mbysim në një gotë raki në klubet që i mbushim ne të gjithë që në orët e mëngjesit”, shprehet ai.

Të mësuar me ditët e acarit në dimër, banorëve të Kukësit nuk u bën përshtypje as shtyrja e procesit mësimor. Madje ata habiten me paralizimin e Tiranës apo vendeve në bregdet, ku temperaturat e moti nuk ka të krahasuar.

“Gjatë këtyre ditëve është më mirë kështu, se të bësh mësim me nxënës që i kanë shtëpitë larg 2 apo 3 km. Ata dihet se në këtë të ftohtë nuk lëvizin nga shtëpia”, na thotë një mësues.

Por mbyllja e shkollave në këto ditë nuk është ndonjë qamet i madh, sepse vetë mësuesit dinë si t’i mbulojnë shpejt mungesat. Nuk është dimri i parë që ndodh kjo.

Ka ndodhur mbyllja e shkollave edhe pa leje të dikasterit në zona ku i ftohti nuk lejonte daljen jashtë të fëmijëve. Arbaini i ka bërë banorët e fshatrave që çdo shtëpi të ketë një bodrum ku mban zahiretë e dimrit.

Bodrumi i ngjan një frigoriferi të madh, ku brenda gjen gjithçka, që nga mielli për bukë, te turshitë e llojllojshme e deri te rakia për miqtë e mishi i thatë. /Panorama

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë