Loading…

Kryeprokurori që mbështet Gruevskin pritet të shkarkohet

  • 15/06/2017 | 08:29

Kryeprokurori që mbështet Gruevskin pritet të shkarkohet

Ekspertët e çështjeve juridike në Maqedoni e mbështesin nismën për shkarkimin e prokurorit aktual të shtetit, Marko Zvërlevski, i cili mbështet hapur politikën e ish-kryeministrit  Nikolla Gruevski dhe partisë së tij, VMRO DPMNE.


Sipas ekspertëve, Maqedonia ka nevojë për zgjedhjen e një prokurori të përgjithshëm, larg ndikimeve politike, profesionist, i moralshëm dhe i gatshëm të përballet me sfidat e mëdha që e presin vendin, në kthimin e besimit humbur në gjyqësor.

Procedura e iniciuar nga Qeveria tani më ndodhet në procedurë parlamentare dhe për shkarkimin dhe zgjedhjen e prokurorit të ri nevojiten shumicë e thjeshtë, apo 61 vota të deputetëve.

“Populli pret ndryshime, ndryshime të rëndësishme dhe me këtë rast jam i bindur se çdonjëri prej tyre do të pyetet se kush do të jetë Prokuror i ri Publik i Maqedonisë. Ai duhet të jetë një personalitet i pakompromis, personalitet i respektueshëm, personalitet që nuk duhet të jetë nën ndikime politike dhe që do të ketë integritet të fortë personal”, thotë Aleksandar Nakov, ish-prokuror.

Kandidat për zëvendësimin e Zvërlevskit ende nuk ka, por kryeministri Zoran Zaev ka thënë se preferon që ai të jetë në mesin e ekspertëve të angazhuar në prokuroritë aktuale.

Nisma për shkarkimin e Marko Zvërlevskit, Prokurorit aktual të Përgjithshëm, vjen pas një sërë akuzash ndaj tij për përfshirje në afera të ndryshme, por edhe në pengimin e hetimeve ndaj zyrtarëve të përfshirë në veprimtari kriminale. Zvërlevski ishte pjesë edhe e aferës së përgjimeve të publikuar nga opozita për lidhjet e tij me pushtetin e ish-kryeministrit, Nikolla Gruevski.

“Sjellja e prokurorit aktual ka çuar në formimin e Prokurorisë Speciale. Ai ishte inert, nuk e ushtronte detyrën e tij. Më shumë merrej me politikë se sa me obligimet që kërkohen sipas dispozitave ligjore, mendoj në Ligjin për prokurori publike dhe Ligjin për procedurë penale”, thotë Nakov, transmeton REL.

Këto fakte, sipas ekspertëve, janë dëshmi se si nuk duhet të jetë një prokuror, i cili sipas tyre, në vend se të jetë në shërbim të qytetarëve dhe luftimit të krimit, ai bën të kundërtën duke i shërbyer politikave të caktuar që stimulojnë dhe udhëheqin me krimin.

Bashkim Selmani, profesor i së drejtës penale në Universitetin e Tetovës, thotë se puna e Marko Zvërlevskit duhet të jetë e mjaftueshme për të marrë mësim partitë e koalicionit të ri qeveritar se çfarë prokurori duhet të zgjedhin. Nëse këtë nuk e bëjnë, atëherë do të shuhen edhe shpresat për mëkëmbjen e sistemit të rrënuar gjyqësor.

“Nëse Maqedonia kësaj radhe e ka seriozisht që të vë në funksion shtetin e së drejtës, do të ishte mirë që të zgjidhte një prokuror pa ndikime aspak partiake. Në bazë të përvojës së deritanishme, vlerësoj se ai duhet të jetë nga sfera e ekspertëve juridikë, qoftë nga avokatët, profesorëve apo personave që kanë luftuar në veprimtarinë për rrënimin e shtetit të së drejtës, pra kundër Gruevskit. Por, nëse nuk bëhet një zgjedhje e tillë, pra nga ana e ekspertëve apo njerëzve të guximshëm, atëherë do të kemi një dështim të plotë dhe një mashtrim i elektoratit”, thotë Selmani.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë