Në intervistën e tij të parë që prej emërimit kryeprokuror i Gjykatës së re Speciale të Kosovës, David Schwendiman tha për BIRN se kriminelët e dyshuar janë objektivi i tij, e jo Ushtria Çlirimtare e Kosovës.
“Unë nuk jam për organizata apo etni. Unë po kërkoj përgjegjësi individuale për atë që është bërë,” tha David Schwendiman në një intervistë për BIRN.
“Nëse ky mesazh mbërrin qartë te njerëzit që preken nga kjo, atëherë ndoshta ata do të kuptojnë se gjykata nuk është pro-shqiptare apo anti-shqiptare, pro-serbe apo anti-serbe, por ne thjesht po bëjmë punën tonë,” tha ai.
Schwendiman është kryeprokurori në Zyrën e re të Prokurorisë Speciale të Kosovës, e ngritur në Hagë me mandatin për të ndjekur penalisht krimet nga ish-luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga viti 1998 deri në vitin 2000.
Figura të larta të UÇK-së priten të akuzohen për krime të dyshuara të kryera gjatë dhe pas luftës me forcat serbe, edhe pse paditë e para janë ende në pritje.
Në Kosovë, gjykata shihet si e njëanshme duke qenë se do të gjykojë vetëm ish-luftëtarë të UÇK-së – njerëz që perceptohen si çlirimtarë nga shumica e popullsisë etnike shqiptare në vend – ndërsa në Serbi, gjykata ka mbështetje të gjerë për shkak të shpresave se ajo do të ndjekë penalisht krimet kundër serbëve.
Por Schwendiman tha se mesazhi kryesor që ai donte të përcillte gjatë vizitës së tij të parë në Serbi dhe në Kosovë javën e kaluar ishte se ai do të jetë i pavarur dhe i lirë nga çdo ndikim politik.
“Roli ynë është të gjykojmë individë dhe jo etni. E di që ekziston një lloj perceptimi, por s’mund të bëj shumë për këtë, përveçse ta bëj punën time dhe ta bëj atë si duhet,” shpjegoi ai.
Gjykata e re do të dëgjojë raste që dalin nga raporti i Tast Forcës Hulumtuese të BE-së i vitit 2014, i cili thoshte se zyrtarë të paidentifikuar të UÇK-së do të përballeshin me padi për një “fushatë persekutimi” kundër serbëve, romëve dhe shqiptarëve të Kosovës që besohet të ishin bashkëpunëtorë të regjimit të Beogradit.
Në krimet e dyshuara përfshihen vrasje, rrëmbime, ndalime të paligjshme dhe dhunë seksuale.
Mediat kosovare dhe ato serbe kanë spekuluar gjerësisht se kush do të ndiqet penalisht nga gjykata.
Një raport i Këshillit të Europës nga viti 2011, i cili hodhi bazat për hetimin e SITF, pohoi se Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ishte një figurë kyçe në një rrjet krimi të organizuar që ishte përgjegjës për shkelje të të drejtave të njeriut në Kosovën e pasluftës. Thaçi i ka mohuar akuzat.
Megjithatë, Schwendiman nuk pranoi të tregonte se kush ishte nën hetim dhe tha se një nga arsyet e vizitës së tij në Beograd dhe Prishtinë javën e kaluar ishte për të shuar thashetheme të tilla.
“Doja të trajtoja çështjen e spekulimit, supozimet dhe thashethemeve dhe të sigurohesha që njerëzit të kuptojnë se nëse nuk vijnë nga unë, nuk janë diçka që duhet t’u besoni,” theksoi ai.