Vjedhja në shtëpinë e kryeprokurorit të Republikës, Aleksandër Lumezi, ka rezultuar me suspendimin për 48 orë të dy pjesëtarëve policor të cilët ishin duke mbikëqyrur shtëpinë e njëri prej zyrtarëve më të lart të shtetit.
Për sulmin ndaj shtëpisë së Lumezit ka reaguar edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni.
Në një prononcim për “Indeksonline”, ai ka thënë se ndaj këtyre zyrtarëve të PK-së kanë filluar procedurat që të konstatohet përgjegjësia e tyre rreth neglizhencën eventuale apo moskryerjes së detyrës në mënyrë profesionale siç kërkohet.
“Çdo herë kur ndodhin incidente kur është përgjegjësi e Policisë natyrisht që ne sipas kompetencave që i kemi iniciojmë procedurë”, ka thënë Maxhuni.
Më tej, i pari i institucionit kryesor të sigurisë në vend thotë se janë dy aspekte të procedimit të cilat bëhen në raste të tilla; Një nga Policia e Kosovës dhe tjetra nga Inspektoriati policor.
“Nëse dyshohet se ka elemente të veprës penale, merret IPK-ja ndërsa nëse ka shkelje administrative atëherë merret Drejtoria e Standardeve Profesionale”, është shprehur ai. Megjithatë, Maxhuni thotë se ende nuk ka diçka konkrete për rastin e hajnisë në shtëpinë e kryeprokurorit Lumezi.
Ndryshe, shtëpia e kryeprokurorit para dy dite ishte cak i disa hajnave ende të paidentifikuar, në rrugën “Xhevat Qena” në Prishtinë.
Ndërkohë, kryeprokurori, Lumezi ka konfirmuar për “Indeksonline” se vjedhja ka ndodhur derisa ai me familje ishin duke fjetur. “Po, rreth orës 03:10 minuta kanë hyrë persona të panjohur derisa ne kemi qenë në gjumë dhe i kanë vjedh disa sene jorelevante”, ka thënë ai.
Lumezi tha se atij i është vjedhur telefoni personal, mirëpo thotë se ndihet i befasuar se si kanë arritur ata të futen kur aty gjendeshin pjesëtarët e PK-së.
“Një telefon dhe disa gjëra tjera. Telefoni ka qenë i imi. S’kam dyshime të ndokush, a kanë qenë hajna apo çfarë kanë qenë. I kanë thyer dy dyert, policia ka qenë përpara aty, s’ka qenë aq lehtë me hy por shohim”, është shprehur ai.