Tashmë janë bërë disa herë që jepen data për nisjen e implementimit të Ligjit për Sigurimet Shëndetësore.
Është kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, ai i cili sot gjatë seancës së Kuvendit dha 1 korrikun si datë për nisjen e mbledhjes së premiumeve.
Kjo pritet të zgjasë tre muaj.
Kryeministri e tha këtë duke u bazuar në mbledhjen e Qeverisë të datës 23 dhjetor të vitit 2016, i cili tha se kanë konstatuar se pjesa më e madhe e punëve janë kryer dhe janë përmbushur shumica e kushteve të parapara me ligj.
“Por kemi vlerësuar që të zgjatet afati prej 6 muajsh për mbledhjen e premiumeve dhe është caktuar data 1 korrik 2017 për nisjen e mbledhjes së premiumeve”, tha Mustafa.
Ndërsa Visar Ymeri, kryetar i Vetëvendosjes ka potencuar faktin që Kosova ende nuk ka një ligj të veçantë për Sistemin Informativ Shëndetësor, ku sipas tij përveç që rregullohet mënyra e bartjes së informatave, do të rregullohej edhe çështja e mbrojtjes konfidenciale të të dhënave individuale që i përkasin shfrytëzuesit të shërbimeve shëndetësore.
Sipas Ymerit vet ligji për Sigurime Shëndetësore do të përbëjë shkelje të mëtutjeshme të rëndë dhe me dëme ekonomike për Kosovën./gazetametro.net