Loading…

“KRU Prishtina”: Janë mbi 45 milionë euro borxh i akumuluar nga paslufta e deri më tani

  • 30/05/2021 | 11:25

“KRU Prishtina”: Janë mbi 45 milionë euro borxh i akumuluar nga paslufta e deri më tani

Borxhi ndaj Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”, vazhdon të mbetet i lartë. Janë mbi 45 milionë euro borxh i akumuluar nga paslufta e deri më tani, që konsumatorët i kanë kësaj kompanie. Ndërsa qindra raste tashmë kanë përfunduar te përmbaruesi, pasi me vite të tëra nuk kanë paguar faturat e ujit të konsumuar.


Kryeshefi i Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”, Sokol Xhafa, në një intervistë për KosovaPress, ka treguar se vetëm gjatë pandemisë janë grumbulluar mbi 2 milionë euro borxhe.

“Borxhi total që nga paslufta e deri më tani është mbi 45 milionë euro ndaj kompanisë sonë. Vetëm gjatë pandemisë është diku mbi 2.2. milionë euro borxhe të akumuluara që tregon se kemi relativisht shumë fatura të papaguara e që kjo rrezikon ndërmarrjen. Ne jemi të detyruar t’i dërgojmë të përmbaruesi sepse në fund të fundit duhet të sigurohemi që asetet dhe infrastrukturën tonë ta ripërtërijmë çdo vit. Sepse të gjitha pagesat që bëjnë konsumatorët nuk është se përfundojnë diku tjetër, por thjesht konvertohen në shërbime për konsumatorë. Ne nuk jemi kompani profitabile, nuk lejohet që të marrim një profit, por të gjitha pjesët e pagesave dhe tarifave konvertohen në shpenzime të operim-mirëmbajtjes, investime kapitale, ripërtëritje të aseteve me qëllimin që ndërmarrja të ofrojë shërbime sa më të mira dhe një kosto të përballueshme për të gjithë konsumatorët”, thotë ai.

Xhafa ka folur për sfidat me të cilat po ballafaqohet kompania që ai menaxhon, sfida këto të trashëguara, por edhe të krijuara nga pandemia Covid-19.

“Jemi përballë me shumë sfida, por patjetër, pashmangshëm sfida më e madhe ka qenë menaxhimi i situatës me pandemi. Për shkak se përveçse godiste pjesën e stafit dhe rrezikohej stafi çdo ditë, sepse ishim të obliguar të dilnim në punë, kur dihet mirëfilli se e gjithë moton ka qene të mbajmë pastërtinë dhe higjienën personale secili me qëllim që të mbrohemi nga Covid-i, kjo pastaj na ka dhënë edhe një obligim shtesë që të sigurohemi që secili konsumatorë të ketë furnizim 24 orë me ujë. Fatmirësisht kemi arritur t’i furnizojmë mirë dhe i gjithë sektori i ujit në Kosovë ka qenë jashtëzakonisht stabil dhe ka treguar një performancë të mirë sa i përket furnizimit me ujë në kohë pandemie”, thotë ai.

I pari i KRU “Prishtina”, thotë se pavarësisht borxhit shumë milionësh, po arrijnë të mbajnë në nivel të kënaqshëm furnizimin me ujë të pijshëm për konsumatorët.

Thotë se këtë vit kanë arritur të rrisin nivelin e inkasimit në mbi 90 për qind, pasi në fillim të mandatit të tij ishte në nivel mjaftë të ultë.

“Jemi munduar të trajtojmë aspektin e humbjeve të ujit sepse kjo është një problematikë që e godet gjithë sektorin jo vetëm në Kosovë, por në gjithë rajonin. Nuk është se kemi arritur rezultate të jashtëzakonshme, por ka rezultate të mira të cilat trendët tregojnë se po ulen humbjet dalëngadalë. Normalisht ka qenë e vështirë se për shkak se konsumi ra shumë sidomos në gastronomi dhe në institucione, por jemi duke e rimarr veten. Kemi arritur të stabilizojmë ndërmarrjen sa i përket pjesës së inkasimeve, sepse momentin që e mora detyrën në muajin mars dhe prill kishim rënie drastike të inkasimit. Tani kemi arritur që inkasimin ta dërgojmë në 90 për qind dhe mbi 90 për qind këtë vit, që është një rezultat i mirë dhe që ofron qëndrueshmëri për ndërmarrjen. Kemi arritur që të kthejmë mbrapsht pjesën e kredisë si obligime që i kemi ndaj Bankës Gjermane për investimet. Kemi arritur që të rikthejmë besimin e donatorëve të huajë dhe kjo është pjesa më e rëndësishme”, thotë ai.

Xhafa thotë se gjatë kohës së pandemisë krijuan lehtësira për konsumatorët, duke ua mundësuar riprogramimin e borxheve.

Megjithatë shton se shumë prej tyre nuk e shfrytëzuan këtë mundësi dhe se janë detyruar që më shumë se 700 raste t’i procedojnë te përmbaruesi.

“Shumica e borxhlinjve që janë dërguar në përmbarim janë biznese të cilat nuk kanë qenë detyrimisht të atakuar gjatë kohës së pandemisë që të hasin në vështirësi. Fillimisht ua kemi lehtësuar riprogramimin e borxheve duke i ulur nga 50 për qind të pjesës së pagesës së këstit të parë për t’u futur në riprogramim borxheve në 20 për qind të gjitha bizneset si masë lehtësuese për shkak të pandemisë. Të gjithë ata që kanë reflektuar nuk janë dërguar në përmbarim, pjesa tjetër të cilët bizneset e tyre nuk kanë pasur pengesa gjatë pandemisë janë dërguar në përmbarim. Janë mbi 700 raste të cilat janë dërguar në përmbarim. Shumica në muajit e parë të vitit që kanë qenë biznese që nuk janë goditur nga pandemia. Pjesa tjetër janë amvisëri të cilët nuk kanë reflektuar për vite të tëra me pagesa”, thotë ai.

Një problem tjetër me të cilin po ballafaqohet KRU “Prishtina” është edhe çështja e vërshimeve, që po krijon turbullira në liqenet akumuluese, duke pamundësuar furnizim të rregullt me ujë të pijshëm.

Megjithatë, Xhafa thotë se këtë problem e kanë evidentuar dhe tashmë nuk do të ketë pengesa të tilla.

Ai siguron se edhe në sezonin e vërshimeve konsumatori nuk do të mbetet më shumë se 2 orë pa ujë.

“Kemi marrë elemente kimike, kemi shtuar edhe disa faza të trajtimit me të cilat nëse potencialisht deri tani ndërmarrja do të ishte përballur me ndërprerje të furnizimit me ujë për më shumë se një ditë ose dy, tani kjo periudhë tejkalohet për 4 deri në 5 orë maksimumi dhe prapë rikthehet trajtimi. Përveç kësaj Kemi ndryshuar edhe regjimin e punës që në momentet që përcillen pjesa e ardhjes së reshjeve ose potencialet për vërshime ne bëjmë një paralajmërim më të hershëm tek impiantet e trajtimit të ujit, mbushen të gjitha kapacitetet e mundshme dhe konsumatori jam 100 për qind i bindur se nuk do ta ndjejë mungesën e ujit më shumë se 2 orë edhe në rastet më ekstreme të vërshimeve, ose të shkaktimit të turbullirave”, thotë ai.

Me qëllim të mbrojtjes së liqeneve dhe lumenjve Xhafa thotë se kanë filluar me master-planin dhe fizibilitetin për kolektorë të ujërave të ndotura, i cili do të përfundojë në vitin e ardhshëm e që do t’i hapë rrugë të gjithë rehabilitimit dhe rindërtimit të kolektorëve të ujërave të zeza për Prishtinë, Fushë Kosovë, Obiliq dhe një pjesë të Graçanicës.

Ky projekt sipas Xhafës do të kap koston 50 milionë euro që është grant i BE-së në bashkëpunim me Bankën Gjermane për Zhvillim.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë