Qytetarët janë përballur me shpenzime më të larta edhe gjatë muajit maj, pasi treguesit ekonomikë kanë shënuar rritje si në krahasim me muajin paraprak, ashtu edhe me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, transmeton Gazeta Metro.
Sipas të dhënave, niveli i përgjithshëm i jetesës në maj 2026 ishte 4.8 për qind më i lartë se në maj 2025, ndërsa produktet dhe shërbimet shënuan një ngritje prej 5.6 për qind. Krahasuar me prillin e këtij viti, inflacioni u rrit me 0.6 për qind.
Rritjet më të theksuara u evidentuan te transporti, i ndjekur nga veshmbathja, ushqimet dhe pijet joalkoolike. Ngritje u regjistruan gjithashtu në fushën e argëtimit dhe kulturës, komunikimit, gastronomisë dhe akomodimit, si dhe në sektorët e shëndetësisë dhe energjisë.
Në anën tjetër, ulje të lehta u shënuan te produktet dhe shërbimet e kujdesit personal, si dhe te pajisjet dhe mirëmbajtja e amvisërisë. Ndërkohë, arsimi, shërbimet financiare dhe sigurimet, si dhe pijet alkoolike e produktet e duhanit mbetën pa ndryshime krahasuar me muajin paraprak. Po ashtu, çmimet me pakicë në maj u rritën me 0.8 për qind në raport me prillin./gazetametro.net