Loading…

Krimi me martesat e fëmijëve

  • Nga

  • 30/04/2018 | 11:23

Krimi me martesat e fëmijëve

Në ditë të sodit me taku një vajzë që është martu pa dëshirën e saj, mund të duket si diçka që nuk e përcepton logjika e shëndosh e njeriut. Por, këto lloj martesash po ndodhin. Bile hiq më pak se sa viteve të fundit.

Martesat në moshën e hershme tek vajzat nga komuniteti RAE,  po bëhen fatkeqësisht të pashmangshme. Imponimet familjare, po bëjnë që këto vajza të cungojnë rininë dhe të ardhmen e tyre. Kështu, po përfundojnë të martuara ende pa arritur moshën që ligji në Kosovë e lejon të lidhet martesa në mes dy personave.

“Personi që nuk ka mbushur moshën tetëmbëdhjetë vjecare, nuk mund të lidhë martesë”.

Por, këtij Ligji në fuqi nuk po ia vënë veshin shumë prindër, kur vendosin që vajzat e tyre t’i martojnë kur ato janë ende fëmijë.

Sipas hulumtimit të fundit nga Organizata ‘Save the Children’, 65 përqind e vajzave nga komuniteti romë, ashkalinjë dhe egjiptas janë martuar nën moshën 18 vjecare. Ku në mesin e tyre vetëm 15 përqind janë martuar për shkak të dashurisë për partnerin. Kurse, pjesa tjetër për shkak të imponimeve familjare, mosdija, shkaqet ekonomike apo edhe arsyeje të tjera.

Si pasojë e martesave të hershme, në 90 përqind të rasteve këto vajza nuk arrijnë të përfundojnë as shkollimin elementar. Si rrjedhojë, shoqëria fiton më shumë analfabetë, dhe qytetarë të cilët janë të varur nga shteti, përkatësisht nga ndihmat sociale.

“M’a mirë me u martu se me shku në shkollë, bile krijon familje”

Më tregonte kësisoj M.P vajza 21 vjecare nga komuniteti RAE e cila jeton në Fushë Kosovë dhe ishte martuar në moshën 14 vjec, e tani ka tre fëmijë.

Por, fatin e M.P e kanë edhe shumë vajza të tjera, të cilat janë martuar përafërsisht në të njëjtën moshë.

Martesat e hershme të këtyre vajzave i bëjnë ato të ballafaqohen me vështirësi të ndryshme në mesin e të cilave përfshihet dhuna, gjendja e vështirë ekonomike, mospërmbushja e kushteve elementare për jetesë, përforcimi i mentalitetit se sa më herët të martohesh është më mirë për ty dhe familjen.

E përveç kësaj, lindjet e shpeshta dhe të hershme në moshë të këtyre grave rezultojnë edhe me

vdekjen e nënave ose të fëmijëve, apo edhe të dy palëve.

Andaj, duke pasur parasysh këtë është e rrugës që institucionet kosovare ta marrin këtë problematikë më seriozisht dhe të marrin masa. Ligji i cili është në fuqi duhet të zbatohet domosdo për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës njësoj. Në rastet e moszbatimin të këtij ligji duhet të ketë dënime me gjoba dhe llogaridhënie nga prindërit e këtyre vajzave, pse kanë lejuar një veprim të jashtëligjshëm.

Organizimi i trajnimeve të ndryshme për prindërit e këtyre fëmijëve dhe sqarimet se sa e dëmshme është martesa e hershme për fëmijën e tyre, do ta përmirësonte gjendjen sado pak.

Këto qenie njerëzore, për shkak të veprime të pamatura të prindërve të tyre, po detyrohen që ato t’i bartin pasojat dhe jo fajtorët e vërtetë, prindërit. Vajzat e këtyre prindërve po mbesin nën hijen e burrave. Dhuna, mungesat financiare, dhe jeta e vështirë janë ato elementet bazë që po i përcjellin gjatë gjithë jetës.

Ligjërimi  i ndonjë lënde të kësaj natyre në shkollat fillore të komuniteteve në Kosovë nuk do të ishte aspak keq. Në këtë mënyrë ngadalë do të fillonte të ndahej e mira dhe e keqja. Vajzat rome, ashkalinjë dhe egjiptase duhet të vazhdojnë jetën e tyre, të mësojnë e të edukohen, të janë të pavarura financiarisht e më pas të martohen.

Në këtë mënyrë shoqëria do të përparonte, e shteti do të kishte më pak obligime sociale. Vajzat nga ky komunitet, nuk do të etiketoheshin si vajza të pashkolluara dhe që martesat e tyre ndodhin që në fëmijëri.

Por, përkundrazi, si vajza që ja dalin mbanë dhe i realizojnë ambiciet e tyre.

(Autorja është studente e gazetarisë në Universitetin e Prishtinës)

Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë