Figura e Gjergj Kastriotit-Skënderbeu, u çmua lart në Konferencën e Federatës së Paqes Universale, e cila për temë kishte “Skënderbeu, Liria dhe Paqja”.
Historiani Jakup Krasniqi tha se nuk ka dyshim nga askush që Gjergj Kastrioti- Skënderbeu është njëra nga figurat më të lavdishme të historisë sonë.
“Për mua janë dy epoka të Skënderbeut. Epoka e Skënderbeut është vetë epoka e tij 25-vjeçare, në shërbim të vendit të vet dhe në shërbim të kombit dhe në shërbim të kulturës evropiane të asaj kohe. Shekulli 20 është shekulli i Skënderbeut. Vetëm në këtë periudhe populli shqiptar është shtrirë edhe horizontalisht si komb dhe me arsim dhe me dije. Unë dhe shekullin 20 e quaj shekullin e Skënderbeut, sepse Skënderbeu ka hyrë vetëm në këtë kohë, si kujtesë kombëtare ka hyrë në çdo familje, në çdo shkollë te çdo njeri. Nuk besoj që ka pasur ndonjë njeri më ambasador i paqes se Skënderbeu. Të kërkosh luftë ka thënë Skënderbeu, është çmenduri, por t’i përgjigjesh asaj kur të tjerët ta imponojnë është urti. Mund të them, se e gjithë historia e popullit tonë është zhvilluar gati po në këto vija. Kurrë s’e kemi dashur luftën, por kur na është imponuar jemi përgjigjur p ër të qenë të lirë, të dinjitetshëm në vendin tonë”, tha Krasniqi, transmeton kp.
Ndërsa ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi tha se Gjergj Kastrioti-Skënderbeu është personaliteti më i madh i kombit shqiptar.
“Skënderbeu nuk solli paqe vetëm në Shqipëri për 25 vjet. Por solli paqe dhe për një pjesë shumë të rëndësishme të Evropës perëndimore, Evropës demokratike, duke ndaluar hordhitë osmane turke, që të hidheshin në pjesën tjetër të Evropës. Solli paqe ne Shqipëri për 25 vjet, solli paqe, përparim dhe solli vazhdimësinë e zhvillimit të këtyre vendeve që përmenda më parë. Prandaj Skënderbeu gjithmonë do të kujtojmë se ka qene një figurë multidimensionale. Shpata e Skënderbeut ka qene shumë më e vogël, se mendja e tij e ndritur, për të çliruar vendin, për të ruajtur paqen dhe stabilitetin e Shqipërisë në atë kohë“, tha ai.
Ndërsa Jack Corley, kryetar i Federatës së Paqes për Evropën lindore, tregoi historinë se si është njoftuar për figurën e heroit të madh shqiptar. Ai tha se nuk është gjë e madhe ta duam mikun, por gjë e madhe është ta duash armikun.
“Në çdo lloj vendi, duket se ata kanë heronjtë e tyre që janë armiqtë e një vendi tjetër. Kemi një shprehje që e përshkruan këtë që thotë mishi i dikujt është helmi i dikujt tjetër. Në njëfarë mënyre heronjtë e një kombi janë armiqtë e një kombi tjetër. Atëherë si do të mund ne t’i zgjidhim problemet, nëse nuk i kapërcejmë dot këtë situatë. Kjo është ajo që po përpiqet të bëjë Federata e Paqes Universale. Dua t’iu lë me këtë lloj reflektimi. Në fakt, nuk është gjë e madhe ta duash mikun, por gjë e madhe është ta duash armikun dhe kjo është ajo që ne përpiqemi të bëjmë“, tha ai.
Sabit Syla, drejtor i Institutit të Historisë në Prishtinë, tha se ndjehet krenar që historia shqiptare ka krijuar vlera me rëndësi të dorës së parë për njerëzimin. Ai tha se në çdo vend Skënderbeu u shndërrua në simbol të luftës dhe u lartësua lart nga personalitete të larta të kohës.
“Vepra e tij ka inspiruar brezat e tërë se vetëm të bashkuar dhe këmbëngulës do të mund t’i realizonim aspiratat kombëtare. Për nder të jetës dhe veprës së] tij heroike u thurën këngë në popull, u emëruan sheshe, rrugë e shkolla dhe u ngritën buste. Ai u bë frymëzim dhe me artin letrar. Jemi të lumtur dhe krenarë që historia shqiptare ka krijuar vlera me rëndësi të dorës së parë për njerëzimin, prandaj dhe sot e kujtoj me pietet jetën dhe veprimtarinë e Gjergj Kastriotit- Skënderbeut dhe bashkëluftëtareve të tij, duke mbetur gjithmonë i gjallë kujtimi për të”, tha ai.