Loading…
Kosovë: Dominojnë mikrondërmarrjet, vetëm 82 biznese të mëdha
  • 13/06/2019 | 12:23

Kosovë: Dominojnë mikrondërmarrjet, vetëm 82 biznese të mëdha

Kosova vazhdon të ketë rritje të vogël ekonomike, rrjedhimisht rritje të pakënaqshme të bizneseve ekzistuese dhe nivel të ulët të hapjes së bizneseve të reja me potencial në treg, tranmeton Gazeta Metro.


Duke qenë kështu, bizneset e mëdha që operojnë në Kosovë vazhdojnë të jenë në numër të ulët, ndërkohë që mikrondërmarrjet dhe bizneset e vogla dominojnë tregun ekonomik të Kosovës. Platforma Bizneset e Hapura e organizatës Open Data Kosovo vë në pah dallimin e jashtëzakonshëm në mes të masës të mikrondërmarrjeve dhe llojeve të tjera të bizneseve të kategorizuara për nga madhësia.

Përmes një vizualizimi të të dhënave, dominimi i mikrondërmarrjeve dhe numri i vogël i bizneseve të vogla bëhet i qartë, duke nxjerrë në pah këtë anomali në tregun kosovar që shpërfaq mungesën e theksuar të investimeve të kompanive të mëdha në Kosovë.

Sipas ligjit numër 03/L-031, që ishte përpiluar si plotësim i ligjit 02/L-5 për Mbështetjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, mikrondërrmarjet janë bizneset që punësojnë deri në nëntë punëtorë, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme quhen bizneset që punësojnë nga 10 deri në 49 punëtorë dhe 50 deri në 249 punëtorë, përkatësisht, kurse ndërmarrje të mëdha quhen bizneset që kanë të punësuar mbi 250 punëtorë.

Në Kosovë operojnë 188,529 biznese me më pak se nëntë të punësuar e që klasifikohen si mikrondërmarrje e që përbëjnë rreth 98 përqind të masës së përgjithshme të bizneseve. 2,567 biznese janë të regjistruara si të vogla, kurse 421 sosh kanë nga 50 deri 249 punëtorë dhe quhen biznese të mesme. Bizneset e mëdha janë më së paku të pranishme në tregun tonë, me vetëm 82 subjekte që punësojnë më shumë se 250 punëtorë secila. Kosova për disa vite është renditur si ndër vendet më të përshtatshme në raport me kalimin e barrierave dhe procedurave për hapjen, regjistrimin dhe nisjen e një biznesi të ri, duke tejkaluar disa herë vendet e rajonit.

Mirëpo, pavarësisht lehtësive të ofruara në kuptimin procedural, rritja e vogël ekonomike ka pamundësuar rritjen e hovshme të bizneseve, pasi që rritja aktuale prej rreth katër përqind është vlerësuar si e lartë krahasuar me vendet tjera të Ballkanit perëndimor, por e brishtë në kuptimin e paqëndrueshmërisë së vendit në disa shtylla.

Banka Botërore, në një raport të publikuar në tetor të vitit 2018, ka ardhur në përfundimin që rritja ekonomike në Kosovë mund të arrijë shifrën 4.5 përqind në periudhën 2019/2020, por që biznes-bërja në Kosovë ende është e brishtë dhe rrezikohet nga faktorë të jashtëm e të brendshëm. “Ndërkohë që rritja po ruan një momentum pozitiv dhe politika fiskale mbetet në përputhje me rregullën fiskale, është thelbësore të përmirësohet alokimi i shpenzimeve për të investuar në kapitalin njerëzor dhe fizik, për një rritje më të shpejtë dhe të qëndrueshme”, tha Marco Mantovanelli, Menaxheri i Bankës Botërore për Kosovën.

(Ky artikull është publikuar si pjesë e projektit “Përmirësimi i praktikave të transparencës së qeverisë dhe të bizneseve nëpërmjet të dhënave të hapura” financuar nga Ambasada Amerikane dhe që implementohet nga Open Data Kosovo). /gazetametro.net

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +386 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë