“Kosova- Women 4 Women”, një organizatë që vepron nga viti 1999 në Kosovë dhe ka arritur të ndihmojë shumë gra që të punësohen. Deri tani kjo organizatë ka punësuar mbi 600 gra në Kosovë, dhe ka themeluar 32 shoqata punësimi.
Misioni i kësaj organizate është fuqizimi ekonomik dhe social i grave të margjinalizuara, të cilat janë pa punë dhe nuk kanë qasje në arsim dhe financa. Përkrahja e këtyre grave bëhet me një program njëvjeçar (programi bazë) përmes të cilit gratë ndjekin trajnimet e fuqizimit social.
Iliriana Jaka Gashi, drejtoreshë e kësaj organizate tha për Gazetën Metro se, këto gra kryejnë trajnime profesionale/zanati në fushën e agrikulturës, bletarisë, blegtorisë, punëdore ose veprimtari shërbyese, ku gratë e përzgjedhin njërën prej këtyre.
Kjo organizatë operon në shumë qytete të Kosovës si në Prishtinë, Ferizaj, Kaçanik, Mitrovicë, Viti, Shterpcë, Podujevë, Shtime ndërsa më herët kanë punuar edhe në Lipjan, Vushtrri, Drenas, Skenderaj, Fushë-Kosovë, Deçan dhe Malishevë.
Përveç punës me gra, kjo organizatë nga viti i kaluar ka punësuar edhe burra, duke u munduar ta zgjeroj sa më shumë këtë rrjet që po u ndihmon shumë bizneseve të reja të krijuara në vendin tonë, posaçërisht grave, për të cilat edhe e kanë nisur këtë projekt.
“Kosova- Women 4 Women”, është një organizatë që e ka filluar punën tek ne menjëherë pas lufte në vitin 1999, si degë e organizatës amerikane ”Women for Women” e cila e ka selinë në Washtington. /gazetametro.net