Sulmuesi i Bristol Cityt, Lorent Tolaj, është bërë objektiv i tri përfaqësueseve kombëtare, të cilat synojnë ta bindin që në të ardhmen të luajë për ngjyrat e tyre.
Sipas mediumit britanik “Football Insider”, Kosova, Shqipëria dhe Zvicra janë në garë për shërbimet e futbollistit 25-vjeçar, me synimin që ta përfshijnë në ekipet e tyre A para pushimit të ardhshëm ndërkombëtar.
Tolaj ka lindur në Zvicër dhe më parë ka luajtur për grupmoshat U-17, U-18 dhe U-19 të këtij shteti. Megjithatë, për shkak të prejardhjes familjare, ai ka të drejtë të përfaqësojë edhe Kosovën dhe Shqipërinë.
Interesimi për sulmuesin është shtuar pas paraqitjeve pozitive në futbollin anglez. Pas kalimit nga Plymouth Argyle te Bristol City gjatë verës, ai ka realizuar dy gola dhe një asistim në dhjetë paraqitje në Championship.
Tolaj kishte spikatur edhe më herët me fanellën e Zvicrës U-19, ku në vitin 2019 realizoi tetë gola në fitoren 16:1 ndaj Gjibraltarit, duke vendosur rekord për golat e shënuar nga një futbollist në një ndeshje kualifikuese të kësaj grupmoshe për Kampionatin Evropian.
Përveç paraqitjeve me klubin aktual, sulmuesi kishte tërhequr interesim edhe nga disa skuadra të tjera, përfshirë Millwall, Derby County, Rangers dhe Celtic, por në fund kishte zgjedhur Bristol Cityn.
Tashmë mbetet të shihet se cilën përfaqësuese do ta zgjedhë 25-vjeçari, ndërsa Kosova synon ta bindë që ta përfaqësojë vendin në arenën ndërkombëtare.