Një mori aktivitetesh janë organizuar edhe në Kosovë për të shënuar kështu 9 dhjetorin, Ditën Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit. Kjo ditë shënohet që nga viti 2003, kur në Kombet e Bashkuara u mblodhën më shumë se 100 përfaqësues shtetesh nga e mbarë bota për të nënshkruar Konventën Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit.
Përmes këtij akti shtete të ndryshme demonstruan gatishmërinë e një mobilizimi të përbashkët si asnjëherë më parë përtej kufijve nacional për të vendosur rregulla, parime dhe principe të cilat sot e asaj dite janë në betejë kundër të keqes së quajtur korrupsion.
Njëra prej ngjarjeve që është organizuar për këtë ditë është nga anëtarët e Komisionit parlamentar për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Punës së Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit e Kuvendit të Kosovës, me mbështetjen e UNDP, të cilët do të nënshkruajnë themelimin e Degës se Organizatës “Deputetët Global Kundër Korrupsionit”.
Pastaj, Instituti Demokratik i Kosovës ka organizuar një konferencë për media, ku do të prezantohen rezultatet e shërbimit për këshilla ligjore pa pagesë për raportuesit dhe viktimat e korrupsionit.
Me rastin e kësaj dite aktivitet do të ketë edhe Qendra për Studime të Avancuara FIT. E po ashtu në këndin Amerikan mbahet diskutim me studentë të Juridikut, Shkencave Politike dhe Gazetarisë, në temën “Çka është korrupsioni?”.
Ditën Kundër Korrupsionit do ta shënojnë edhe në Qendrën e Informimit të BE-së. Lëvizja FOL ka paraparë të bëjë lansimin e platformës së edukimit anti-korrupsion. Ndërkohë, në Prishtinë do të mbahet një ekspozitë e fotografive dhe ceremonia e ndarjes së shpërblimeve për fituesit e garës së mediumit social “hanhankorrupsioni”, e organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës dhe UNDP-ja.
Kurse, në ora 20:00, Ambasadori i SHBA-ve, Greg Delawie do të mbajë fjalimin hyrës për koncertin e grupit “Troja” me këngë me porosi kudër korrupsionit./gazetametro.net