Kosova ka vazhduar të thellojë varësinë nga importi, duke e çuar vlerën e mallrave të blera nga jashtë në mbi 7 miliardë euro, ndërsa eksportet kanë mbetur dukshëm më të ulëta nën 1 miliard euro, shkruan Gazeta Metro.
Oda Ekonomike e Kosovës ka publikuar raportin “Statistikat e Tregtisë së Jashtme të Kosovës-Marrëdhëniet tregtare sipas shteteve, Top 10 vendet e eksportit dhe importit 2025”, i cili jep një pasqyrë të qartë të gjendjes së bilancit tregtar të vendit dhe varësisë së thelluar nga importet gjatë periudhës janar–dhjetor 2025.
Sipas raportit, ekonomia e Kosovës gjatë vitit 2025 ka vazhduar të karakterizohet nga një hendek i madh mes eksportit dhe importit. Eksportet kanë arritur në 942.1 milionë euro, duke shënuar një rënie të lehtë krahasuar me vitin 2024, kur kishin qenë 944.3 milionë euro.
Në anën tjetër, importet kanë shënuar rritje të konsiderueshme dhe kanë arritur në 7 miliardë e 48 milionë euro, ose 11.3 për qind më shumë se një vit më parë.

Ky disbalanc i madh tregtar ka bërë që deficiti tregtar i Kosovës të thellohet në mbi 6.1 miliardë euro, duke shënuar rritje prej 13.3 për qind krahasuar me vitin paraprak. Kjo nënkupton se Kosova vazhdon të shpenzojë shumëfish më shumë për import sesa që fiton nga eksporti.
Raporti thekson gjithashtu se mbulueshmëria e importeve nga eksportet ka rënë në 13.4 për qind, nga 14.9 për qind sa ishte në vitin 2024, çka tregon një përkeqësim të mëtejmë të bilancit tregtar.
Sipas raportit, vendet kryesore nga të cilat importon Kosova janë Gjermania, Turqia, Shqipëria, Serbia, Kina, Italia, Greqia, Maqedonia e Veriut dhe Austria.
Nga këto shtete vijnë një gamë e gjerë produktesh, duke filluar nga ushqimet bazë, derivatet e energjisë, pajisjet teknologjike dhe industriale, e deri te produktet e konsumit të përditshëm. Në veçanti, Gjermania dhe Turqia mbeten ndër partnerët më të mëdhenj tregtarë, duke zënë një pjesë të konsiderueshme të importeve totale të Kosovës.

Në anën e eksportit, Shqipëria mbetet partneri kryesor tregtar i Kosovës me 17 për qind të pjesëmarrjes në totalin e eksporteve. Pas saj renditen Maqedonia e Veriut me 14.7 për qind, Gjermania me 11.4 për qind, Zvicra me 10.5 për qind, Serbia me 6.5 për qind dhe Mali i Zi me 6 për qind.
Në Top 10 vendet e eksportit përfshihen gjithashtu Italia, Turqia, Holanda, SHBA dhe Austria, të cilat së bashku me vendet e rajonit përbëjnë tregjet kryesore të produkteve kosovare.
Megjithatë, raporti tregon se eksportet e Kosovës mbeten të përqendruara kryesisht në tregjet e CEFTA-s dhe Bashkimit Evropian. Vetëm vendet e CEFTA-s përbëjnë rreth 45.8 për qind të eksporteve totale, ndërsa Bashkimi Evropian rreth 33.6 për qind.
Sa i përket strukturës së eksportit, pjesën më të madhe e zënë metalet bazë dhe artikujt prej tyre me 22.2 për qind. Pas tyre renditen ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani me 12.4 për qind, plastika dhe goma me 12.1 për qind, si dhe produktet e ndryshme të prodhuara, përfshirë mobiliet dhe dyshekët me 10.3 për qind.
Produktet minerale përbëjnë 9.5 për qind, ndërsa tekstili dhe artikujt tekstilë 6.6 për qind. Pjesa tjetër, rreth 26.9 për qind, përfshin kategori të ndryshme të produkteve me peshë më të ulët në eksport.
Struktura e importit të Kosovës gjatë kësaj periudhe tregon qartë varësinë e lartë nga produktet industriale dhe energjetike. Lëndët djegëse minerale dhe produktet e naftës përbëjnë 12.3% të totalit të importeve në vitin 2025, duke mbetur kategoria më e madhe importuese. Kjo kategori ka një peshë të konsiderueshme në bilancin tregtar dhe ndikon drejtpërdrejt në rritjen e deficitit, pasi çmimet ndërkombëtare të energjisë kanë ndikim të madh në vlerën totale të importeve.
Po ashtu, mjetet e transportit përbëjnë 12.3% të importeve, duke treguar kërkesë të vazhdueshme për automjete dhe pajisje transporti në tregun vendor. Makineritë dhe pajisjet mekanike përfaqësojnë rreth 7.7% të importeve, ndërsa makineritë elektrike rreth 4.5%. Këto të dhëna tregojnë se një pjesë e madhe e importeve lidhet me nevojat për zhvillim të infrastrukturës dhe industrisë, por edhe me varësinë e lartë nga teknologjia e huaj.
Në strukturën e importit rëndësi të veçantë kanë edhe giza dhe çeliku me 4.7%, plastika dhe artikujt prej saj me 4.6%, si dhe produktet farmaceutike dhe ushqimore që mbajnë një peshë të qëndrueshme në totalin e importeve. Në përgjithësi, vetëm disa kategori kryesore përbëjnë mbi gjysmën e importeve totale, duke treguar përqendrim të lartë në struktura të caktuara të tregut.

Në vitin 2025, rreth 15 kapituj kryesorë përbëjnë 65.6% të totalit të importeve, që në vlerë absolute përfaqësojnë rreth 4,627.0 milionë euro nga gjithsej 7,048.3 milionë euro. Ndërkohë, në anën e eksporteve, 15 kapituj kryesorë përbëjnë 73.8% të totalit, ose rreth 695.5 milionë euro nga 942.1 milionë euro eksport.
Raporti thekson se ekonomia e Kosovës vazhdon të jetë e varur nga importi i mallrave industriale, energjetike dhe ushqimore, ndërsa eksportet mbeten të përqendruara në një numër të kufizuar sektorësh. Kjo strukturë tregon mungesë diversifikimi ekonomik dhe nevojë për rritje të kapaciteteve prodhuese vendore.
Në këtë kontekst, identifikohen disa sektorë me potencial të lartë për zhvillim dhe zëvendësim të importit. Sektori i energjisë dhe lëndëve djegëse paraqet një nga fushat më të rëndësishme, duke marrë parasysh varësinë e lartë nga importi i energjisë. Kosova ka potencial të konsiderueshëm në burime natyrore, veçanërisht në linjit dhe energji të ripërtëritshme si dielli dhe era, të cilat mund të kontribuojnë në uljen e varësisë nga importi.
Industria e plastikës paraqet gjithashtu një sektor me potencial të madh zhvillimi, pasi aktualisht një pjesë e konsiderueshme e produkteve plastike importohen, ndërkohë që ekziston një bazë prodhuese vendore në rritje. Zgjerimi i këtij sektori mund të kontribuojë në zëvendësimin e importit dhe rritjen e eksporteve, veçanërisht në paketim dhe ndërtim.
Raporti thekson gjithashtu nevojën për masa institucionale që do të mbështesin transformimin ekonomik, përfshirë nxitjen e investimeve në teknologji përpunuese, zhvillimin e infrastrukturës industriale dhe krijimin e parqeve teknologjike dhe industriale. /gazetametro.net
