Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla ka takuar sot në Bruksel komisionaren europiane për Punë të Brendshme Ylva Johansson, të cilën e ka falënderuar për ri-konfirmimin e Komisionit Evropian se Kosova ka plotësuar në tërësi kriteret për lëvizjen e lirë për qytetarët e saj, shkruan Gazeta Metro.
Komisionarja Johansson ka ri-konfirmuar që Komisioni qëndron prapa vlerësimit të tij dhe se puna vazhdon tutje në kuadër të procesit ekzistues deri në kompletimin e liberalizimit të vizave, ka shkruar Sveçla në një status në Facebook.
Në takim u tha se lufta ndaj krimit, korrupsionit, trafiqeve të ndryshme dhe të gjitha veprimtarive ilegale mbetet prioritet i Qeverisë së Kosovës.
“Kisha kënaqësinë që të takoj në Bruksel Komisioneren Evropiane për Punë të Brendshme Ylva Johansson. Shpreha falënderimin tonë për ri-konfirmimin e Komisionit Evropian se Republika e Kosovës ka plotësuar në tërësi kriteret për lëvizjen e lirë për qytetarët tanë. Komisionerja e BE për Punë të Brendshme Johansson ka ri-konfirmuar që Komisioni qëndron prapa vlerësimit të tij dhe se puna vazhdon tutje në kuadër te procesit ekzistues deri në kompletimin e Liberalizimit të Vizave. Biseduam mbi arritjet e Qeverisë sonë nga hera e fundit kur jam takuar virtualisht me znj. Johansson. Lufta ndaj krimit, korrupsionit, trafiqeve të ndryshme dhe të gjitha veprimtarive ilegale mbetet prioritet i yni andaj në këtë kuptim kam shprehur gatishmërinë tonë për bashkëpunim të ngushtë me të gjitha shtetet aleate për krijimin e stabilitetit në vendin tonë dhe më gjerë”, ka shkruar Sveçla.
Kohëve të fundit, gjithnjë e më shumë vende janë shprehur në favor të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës. /gazetametro.net