Në Kosovë diskutohet shpesh për rritje çmimesh, por një raport që analizon shpenzimet e të ardhurat, tregon se Kosova ka produktet më të lira në rajon, shkruan gazetametro.net.
Raporti është një e dhënë mesatare që përcakton nivelin e jetesës. Numbeo.com, një faqe e internetit e specializuar për krahasimin e këtyre të dhënave për qytete e vende të të gjithë botës, sjell një pamje të situatës edhe për vendin tonë. Ajo që bie në sy duke u krahasuar me vendet fqinje është se Kosova ka pagë mesatare më të lartë se Shqipëria dhe Maqedonia. Gjithashtu, duket se niveli i jetesës është më i mirë në Kosovë se në këto vende. Ndërkaq, Shqipëria del të jetë me nivelin e jetesës më të ulët në rajon, transmeton gazetametro.net.
Krahasimi i shpenzimeve
Kosova, Maqedonia dhe më pas Shqipëria, janë vendet që kanë çmime më të lira të produkteve ushqimore për pasojë edhe kosto më të ulët jetese në rajon. Kostoja e jetesës e Kosovës është më e ulta krahasuar me rajon, me koston e jetesës 16.06% më të ulët se në Shqipëri. Por, ndonëse ka çmime më të lira, qiraja në Kosovë është 27.43% më e lartë se në Shqipëri.
Kafe edhe restorante
Një drekë për dy persona, në një restorant mesatar me tre pjata, mund ta konsumosh në Kosovë me 15 euro, në Maqedoni me rreth 13 euro, dhe në Shqipëri rreth 16 euro. Më e shtrenjta nga rajoni është Mali i Zi me 25 euro, ndërsa për një drekë me dy persona në Itali, duhet të matesh mirë, pasi mund të shpenzosh mesatarisht 50 euro. Një kapuçino është më e lirë në Kosovë, Maqedoni, Shqipëri(rreth 1 euro) dhe më e shtrenjtë në Greqi(gati 3 euro).
Produktet më të lira në Kosovë Â
Produktet më të lirat në rajon janë në tregjet e Kosovës, si djathi, mishi i pulës, veza etj. Qumështi dhe buka në Shqipëri janë ndër më të shtrenjtat në rajon, sipas tabelave krahasuese. Buka,  më e shtrenjtë është vetëm në Mal të Zi.
 Veshjet
Nga të dhënat e Numbeo, rezulton se të gjitha llojet e veshjeve të marra në krahasim(këpucë, fustan, xhinse, atlete) i gjen më lirë në Kosovë. Më pas renditen Maqedonia e Shqipëria.
Kujdesi për veten kushton shtrenjtë në Shqipëri, ku tarifa mujore në një qendër fitness-i është rreth 24 euro, ndërsa në Maqedoni 15 euro e në Serbi 20 euro. Vetëm në Mal të zi, kjo tarifë është rreth 28 euro./gazetametro.net