Prishtina zyrtare ka vendosur ta mbajë fshehtë licencën, me të cilën e ka pajisur Telekomin e Serbisë për të operuar në Kosovë me dhjetë aktivitete të ndryshme, shkruan sot Koha Ditore.
Autoritetet nuk kanë dhënë asnjë detaj përkitazi me autorizimet telefonike që i kanë ofruar kësaj kompanie.
Autorizimet nga Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) i janë dhënë operatorit serb, më 15 dhjetor, ditën kur Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikacionit (ITU) ia ka ndarë Kosovës kodin +383. Atë ditë, gazeta ka kërkuar nga ARKEP-i informacione në lidhje me përmbajtjen e licencës dhe me kohën kur ishte aplikuar dhe kur i është dhënë kjo licencë operatorit serb. Po kështu, edhe për shkallën e përmbushjes së kushteve për këtë licencë dhe për autoritetet që e kishin vlerësuar aplikacionin. Prej atëherë, pyetjet nuk kanë marrë përgjigje.