Loading…

Kosova ende pa raport hetimor përfundimtar për sulmin në Banjskë

  • 08/12/2023 | 10:42

Kosova ende pa raport hetimor përfundimtar për sulmin në Banjskë

Institucionet e Kosovës ende nuk kanë përgatitur një raport hetimor përfundimtar për sulmin e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit. Prokuroria Speciale nuk bëri të ditur se kur do të jetë gati një raport i tillë duke thënë se për rastet që janë në fazë të hetimeve s’mund të japin informacione. Profesorë të së drejtës penale thonë se Kosova është vonuar në këtë drejtim, derisa njohës të rrethanave politike vlerësojnë një raport të tillë Kosova do të duhej ta kishte para Samitit të Këshillit Evropian që do të mbahet më 14-15 dhjetor.


Prokuroria Speciale e Kosovës bëri të ditur se po vazhdon hetimet në lidhje me sulmin e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, por nuk dha detaje se kur do të ketë një raport përfundimtar hetimor.

“Rastet që janë në fazë të hetimeve s’mund t’i komentojmë rrjedhimisht s’mund të japim informacione”, tha për RTV21 Ekrem Lutfiu, zëdhënës i Prokurorisë Speciale.

Profesori i së drejtës Penale, Ismet Salihu, vlerëson se institucionet e Kosovës janë vonuar në përgatitjen e një raporti gjithëpërfshirës për hetimet në Banjskë.

“Organet tona është dashtë mënjëherë pas përfundimit të këtij aksioni me sukses është dashtë të përgatisin një raport lidhur me ngjarjen e 24 shtatorit në Banjskë dhe në mënyrë dtë detajuar të gjitha ato veprime si kush ka marrë pjesë, si kanë marrë pjesë , me çfarë armatimi, me çfarë qëllimi është bërë dhe t’i prezantohet opinionit publik dhe ndërkombëtareve në mënyrë që të ndërmerren veprimet e duhura”, tha ai.

Se Kosova është vonuar në përgatitjen e një raporti përfundimtar hetimor për sulmin e 24 shtatorit e thotë edhe Arton Demhasaj nga organizata “Çohu”.

Sipas tij, një raport të tillë Kosova do të duhej ta kishte para Samitit të Këshillit Evropian që do të mbahet më 14-15 dhjetor.

“Ka informacione që po punohet në një raport por jemi vonuar sepse ka pasur pothuajse tre muaj dhe akoma nuk kemi një raport githëpërfshirës që tregon saktë se çfarë ka Ndodhur më 24 shtator që pastaj ai të përdoret nga diplomacia e Kosovës dhe me lobu tek shtetet perëndimore me marrë masa ndëshkuese ndaj Serbisë në rast se vërtetohet në këtë raport se Serbia ka pas lidhje direkte me grupin terrorist që ka sulmuar Banjskën më 24 shtator. Sikur ky raport të ishte kryer më herët dhe të ishte shpërndarë në qendrën e vendimmarrjes evropiane do të kishte pas mundësi të bëhej pjesë e diskutimeve edhe në KE por për aq kohë sa nuk e kemi këtë raport ka gjasa që mundet fare të diskutohet si ngjarje dhe raporti si raport. Shkon në favor të Serbisë…”, tha Demhasaj .

Të dy bashkëbiseduesit vlerësojnë se çdo vonesë drejt një raporti hetimor përfundimtar për sulmin në Banjskë është në favor të Serbisë.

“Më së largu deri në fund të këtij muaji duhet të përgatitet një raport gjithpërfshirës lidhur me ngjarjen e agresionit në Banjskë. Çdo vonesë e jona në shqyrtimin dhe ndriçimin e gjithanshëm të aksionit të paramilitarëve në krye me Radoiçiqin është e dëmshme për ne dhe në favor të Serbisë”, tha Salihu.

“Për aq kohë sa nuk e kemi nëj raport për aq kohë sa nuk lobojnë nëpër fuqi perëndimore normalisht që Serbia përfiton në këtë drejtim”, tha Demhasaj.

Bashkimi Evropian ka thënë se po pret përfundimin e të gjitha hetimeve në lidhje me sulmin e 24 shtatorit para se të ndërmarrë masa ndëshkuese ndaj Serbisë

Kosova e ka akuzuar Serbinë për sulmin terrorist në Banjskë. Serbia, në anën tjetër, ka mohuar të ketë qenë e përfshirë në sulmin e 24 shtatorit.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë