Qendra Kërkimore për Politika të Sigurisë – SPRC ka shpërndarë sot me rrugë elektronike dokumentin, analizën, përmes të cilësvlerëson se transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) duhet të jetë maksimalisht proces gjithëpërfshirës, i mirëkoordinuar dhe ndihmues për rrugën e Kosovës drejt integrimeve në NATO dhe struktura tjera rajonale e ndërkombëtare.
SPRC vlerëson se transformimi i FSK-së në institucion me mision ushtarak është i domosdoshëm me qëllim të kompletimit të infrastrukturës së sigurisë nacionale dhe konsolidimit të shtetit të Kosovës.
Në vazhdim dokumenti i plotë i Qendrës Kërkimore për Politika të Sigurisë – SPRC: Transformimi i FSK-së, rruga për koordinim të procesit
Hyrje
Qendra Kërkimore për Politika të Sigurisë – SPRC – vlerëson se transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) duhet të jetë maksimalisht proces gjithëpërfshirës, i mirë-koordinuar dhe ndihmues për rrugën e Kosovës drejt integrimeve në NATO dhe struktura tjera rajonale e ndërkombëtare.
Në kontekts të analizës së SPRC-së për procesin e konsolidimit të Arkitekturës së Sigurisë së Kosovës, transformimi i FSK-së në institucion me mision ushtarak është i domosdoshëm me qëllim të kompletimit të infrastrukturës së sigurisë nacionale dhe konsolidimit të shtetit të Kosovës.
SPRC vlerëson se:
• Kosova duhet të ketë edhe Ushtrinë, edhe mbështetjen ndërkombëtare për të.
• Iniciativa për ndryshim ligjor për mandatin e FSK-së krijoi një momentum të ri, të cilin duhet vazhduar me përpjekje intensive për të bashkërenduar veprimet në favor të misionit ushtarak për FSK-në, në kohëzgjatje optimale brenda këtij viti.
• Konsensusi, pothuajse deri në unanimitet, i krijuar në Kosovë rreth misionit ushtarak të FSK-së është forma më e mirë e veprimit institucional në fazat e mëtejshme.
• Duhet shtjerrë mundësitë që në këtë proces të sigurohet edhe pjesëmarrja aktive dhe mbështetje e deputetëve serbë të Kosovës, në mënyrë që transformimi i FSK-së të kuptohet nga të gjithë jo si akt, por si një proces maksimalisht gjithëpërfshirës.
II Çka ndodhi? – kronologjia e një muaji
Hapat e deritashëm në proces:
Më 14 shkurt 2017, Kuvendi i Kosovës ka miratuar Rezolutën që autorizoi Qeverinë e Kosovës për të koordinuar dhe proceduar në Kuvend strategjinë për transformimin e FSK-së në Forca të Armatosura.
Më 7 mars 2017, Presidenti i Kosovës i dorëzoi Kryetarit të Kuvendit Draft-Ligjin për Forcën e Sigurisë së Kosovës .
Më 8 mars 2017, Kryesia e Kuvendit procedoi për mendim në Qeveri Draft-Ligjin për Forcën e Sigurisë së Kosovës .
Më 10 mars 2017, Qeveria e Kosovës ka përcjellë dokumentacionin e nevojshëm në Ministrinë e FSK-së, Ministrinë e Integrimit Evropian dhe Ministrinë e Financave, për të marrë opinionet përkatëse.
Më 14 mars 2017, Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës procedoi në Qeveri opinionin pozitiv për aprovimin e draft-ligjit, me një numër propozimesh për ndryshime të këtij draft-ligji.
Reagimet ndërkombëtare – SHBA dhe NATO:
Më 8 mars 2017, Ambasada Amerikane në Kosovë shprehu shqetësimin për synimin e paralajmëruar të Kosovës për ndryshimin e mandatit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) pa amandament kushtetues .
Më 8 mars 2017, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s theksoi se “nëse mandati i FSK-së ndryshon në mënyrën siç është propozuar tash, NATO do të rishikojë nivelin e angazhimit të saj, veçanërisht në aspektet e ngritjes së kapaciteteve” .
Pozicioni i tashëm:
Më 13 mars 2017, përfaqësuesit e partive parlamentare të shumicës në Kosovë rikonfirmuan konsensusin për mbështetjen për ndryshimet në misionin e FSK-së dhe gatishmërinë për të aprovuar ndryshimet ligjore në Kuvendin e Kosovës.
Më 14 mars 2017, Presidenti i Kosovës, përmes një letre dërguar sekretarit të përgjithshëm të NATO-s dhe shteteve anëtare të NATO-s, u ka kërkuar mbështetje për procesin e ndryshimit të misionit të FSK-së.
Më 14 mars 2017, Presidenti i Kosovës theksoi se procesi do të jetë gradual, gjithëpërfshirës dhe se institucionet e Kosovës do të jenë fleksibile për datën e ndryshimit të misionit të FSK-së.
III Çka duhet bërë? – Rekomandimet
Institucionet qendrore të Kosovës:
Të koordinojnë agjendën e veprimit institucional të brendshëm dhe me partnerët ndërkombëtarë.
Të bëjnë përpjekjet intensive dhe maksimale që procesi i transformimit të arrihet me pjesëmarrje aktive të të gjitha komuniteteve në Kosovë.
Transformi i FSK-së të jetë proces i mirë-koordinuar, i pakthyeshëm dhe të ndihmojë integrimin e Kosovës në NATO.
Kohëzgjatje e procesit të transformimit të FSK-së jetë optimale dhe të finalizohet gjatë këtij viti.
Presidenti:
Të zgjerojë përpjekjet me faktorët tjerë vendorë, duke mos e kufizuar iniciativën në një institucion, në mënyrë që procesi të zhvillohet përmes një platforme nacionale.
Të koordinojë planin e veprimit me institucionet tjera qendrore në Kosovë, duke përfshirë edhe Grupet dhe Komisionet Parlamentare.
Të bashkërendojë veprimet e mëtejshme me partnerët strategjikë ndërkombëtarë.
Qeveria:
Të procedojë draft-ligjin sa më kualitativ në Kuvend, duke shtjerrë të gjitha konsultimet profesionale me akterët tjerë institucionalë vendorë dhe ndërkombatër, si dhe me të shoqërinë civile.
Të koordinojë përpjekjet me institucionet tjera për të arritur mbështetjen e plotë në Kuvendin e Kosovës, duke përfshirë edhe përfaqësuesit e komuniteteve jo-shumicë në përgjithësi.
Të bashkërendojë veprimet e mëtejshme me partnerët strategjikë ndërkombëtarë, duke fokusuar aktivitetet diplomatike të Zyrës së Kryeministrit dhe të Ministrisë së Punëve të Jashtme.
Kuvendi:
Të avancojë qasjen gjithëpërfshirëse në procesin e ndryshimit të misionit të FSK-së, duke angazhuar dhe koordinuar me Grupet dhe Komisionet Parlamentare.
Të angazhohet në diplomacinë parlamentare, në formë të mirë-koordinuar.
Të angazhohet në procesin e përmirësimit të draft-ligjit në mënyrë të plotë, në kohën kur draft-ligji procedohet në Kuvend.
Përfaqësuesit e komunitetit serb:
Të mos humbasin rastin për pjesëmarrje aktive në procesin e transformimit të FSK-së.
Të angazhohen për të promovuar të drejtat e pjesëtarëve të komunitetit të tyre, me fokus në integrimit e tyre në FSK.
Bashkësia ndërkombëtare:
Të vazhdojë dhe thellojë përpjekjet për të ndihmuar që procesi i transformimit të FSK-së të jetë gjithëpërfshirës, duke lehtësuar pjesëmarrjen aktive të përfaqësuesve të komunitetit serb në këtë proces.
Të vazhdojë mbështetjen për FSK-në në ngritje të kapaciteteve dhe profesionalizimin e saj.
Të ruajë përkushtimin për partneritet në konsolidimin e shtetit të Kosovës dhe për sigurinë rajonale.
Shoqëria Civile:
Të lehtësojë dialogun dhe debatin publik gjithpërfshirës për këtë proces.
Të kontribuojë me ekspertizë profesionale në hartimin final të ndryshimeve të legjislacionit që ndërlidhet me transformimin e FSK-së.