Programi i USAID-it ‘Advancing Kosova Together’, ka vlerësuar Komunën e Prishtinës si komunë funksionale dhe të dëshmuar për qeverisje të mirë.
Përfaqësues të komunave përfituese vizituan sot Drejtorinë e Kadastrit për të mësuar nga përvojat dhe praktikat e mira të kësaj drejtorie, njofton kumtesa nga komuna.
Në takim u diskutua për strukturën organizative të Drejtorisë së Kadastrit dhe funksionimi i saj; shërbimet që ofrohen për qytetarët dhe bizneset nga kadastri dhe gjeodezia; procedurat për ofrimin e shërbimeve nga kadastri dhe gjeodezia dhe mënyrën e informimit të qytetarëve për këto procedura; rregulloret dhe udhëzimet komunale për kadastër dhe gjeodezi dhe çësthje të tjera.
Drejtoresha e Kadastrit në Komunën e Prishtinës, Nora Kelmendi, prezantoi punën tre vjeçare në këtë drejtori.
Projektet kryesore kapitale të Drejtorisë së Kadastrit që janë realizuar përgjatë 3 viteve të fundit ishin krijimi i kadastrit të përçojave dhe objekteve nëntokësore në Komunën e Prishtinës në vitin 2014 dhe vitin 2015; incizimi gjeodezik i hapësirave të përbashkëta banesore në lagjet Qafa dhe sheshi Nënë Tereza (9,70%), Dardani (1,86%), Ulpianë (11,86%), në vitin 2015; si dhe incizimi gjeodezik i hapësirave të përbashkëta banesore në lagjet Qendër (4.45%), Dardani (16,92), dhe Ulpianë (18,08), në vitin 2016.
Në kuadër të luftës kundër korrupsionit, u theksua edhe dërgimi i disa lëndëve në Drejtorinë për Krime të Rënda Ekonomike, për shkak të tjetërsimeve të pronave që kanë ndodhur më parë, si dhe aplikimi i masave të ndryshme disiplinore ndaj zyrtarëve të Drejtorisë së Kadastrit të cilët kanë bërë shkelje të ndryshme ligjore. /gazetametro.net